Transmetuar më 19-03-2017, 11:40

Tiranë, 19 mars 2017, NOA.al- Nga çadra e protestës ku opozita ndodhet prej një muaji, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shigjetoi dhe hodhi akuza ndaj rivalit të tij politik Edi Rama.

Ai tha se Kryeministri është braktisur nga faktori ndërkombëtar dhe është bërë subjekt i barcaletave, si personi më qesharak dhe më i pabesueshëm i qarqeve diplomatike nga Brukseli në Washington.

“Ka dy vjet e gjysmë që kur u publikua raporti për pasurinë e tij prej 200 milionë euro, nuk ka më diplomat që ta marrë seriozisht. I dëshpëruar nga ky realitet shkruan trakte natën ndaj miqve të Shqipërisë. E mbani mend si ju vërsul Presidentit Trump dhe e quajti turp i civilizimit. Edhe kush, Edi Rama”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se dje Rama sulmoi senatorin italian Aldo di Biago, ndërsa tha se ai është luftëtar me armë për lirinë e Kroacisë dhe ka shërbyer me armë nën komandën e gjeneralit shqiptar, Agim Çeku.

Kreu i opozitës deklaroi se Di Biago ka qenë me mision ushtarak në krah të UÇK-së që nga viti 1998 deri në çlirim të Kosovës.

Duke folur mesditën e sotme para protestuesve, Basha kërkoi që kreu i qeverisë të mos shpikë armiq të jashtëm, duke thënë se opozita do jetë nesër prapë në shesh.

“Bëj valixhet gati, hapi rrugën qeverisë teknike”, tha kreu i PD./a.y/noa.al