Transmetuar më 19-03-2017, 10:40

Shkodër, 19 mars 2017, NOA.al- Bllokohet në pikën kufitare të Muriqanit një ngarkesë lënde narkotike, e cila do trafikohej drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Mbrëmjen e djeshme, e shtunë, u vunë në pranga Aleksandër Kronaj, 29 vjeç, banues në Bardhaj, Shkodër, Zef Perndoj, 56 vjeç, banues në lagjen “3 Herojt” Shkodër dhe Agostin Arra, 60 vjeç, banues në Pistoja, Itali.

Arrestimi i tyre u bë pasi, gjatë kontrollit të detajuar, të ushtruar në vijën e dytë nga policia kufitare në dalje të Shqipërisë, autobusit të linjës Shkodër- Pistoja, i drejtuar nga Kronaj dhe shofer i dytë Perndoj dhe në pronësi të Arrës, në bagazh në krahun e shoferit në një kuti metalike me përmasa 80 x 85 x 20 cm.

Në brendësi të saj u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 25 kg lëndë kanabis sativa. Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se shtetasit e mësipërm kishin si destinacion vendet e Bashkimit Europian.

Lidhur me këtë rast vijojnë ende hetimet, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve i kryer në bashkëpunim”./a.y/noa.al