Transmetuar më 19-03-2017, 09:28
Publicitet

Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli i Krimeve të Rënda caktuan dje masa sigurie “arrest në burg” për tre persona të dyshuar për përfshirje në grabitjen e parave të një banke në rrugën e Rinasit.

Shkalla e Parë la në qeli Aleksandër Muratajn dhe Dritan Sinanin, dy të arrestuarit e fundit nga operacioni policor i koduar “Patriot”, ndërsa Apeli la të pandryshuar masën “arrest në burg” për Dash Kupën.

Burime pranë Gjykatës sqaruan se të dyshuarit Murataj dhe Sinani kanë mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzën. Ndërsa Prokuroria tha se filmimi i tyre nga kamerat e banesës së Admir Muratajt, teksa çojnë çantat me para aty, është një nga provat kryesore.

Në seancat gjyqësore të zhvilluara me dyer të mbyllura, të dyshuarit kanë paraqitur edhe alibi, që sipas tyre i përjashtonin nga ngjarja. Sipas burimeve, Aleksandër Murataj, vëllai i Admir Muratajt, aktualisht i shpallur në kërkim për grabitjen ka pretenduar se ditën që ndodhi ngjarja, në shkurt 2017, ai ka qenë te dentisti.

Ai ka pretenduar se ky fakt mund të provohet nga kamerat e sigurisë së klinikës, si edhe nga regjistri i mjekut stomatolog, ku është regjistruar emri i tij si pacient. Po ashtu, përmes avokatit mbrojtës, Dritan Sinani ka përjashtuar veten e tij nga grabitja e 9 marsit. Ai ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, apo me persona që mund të jenë të përfshirë në grabitjen e parave të bankës. Njohjen e tij me Admir Muratajn, Sinani e ka justifikuar me punësimin e vëllait të tij.

“Vëllai im ka punuar si kopshtar tek Admir Murataj, ndaj njihemi”, mësohet të jetë shprehur Sinani në seancë. Pretendimet e tyre kanë rënë ndesh me kërkesën e përfaqësuesit të Prokurorisë. Sipas Prokurorisë, Murataj dhe Sinani janë të përfshirë drejtpërdrejt, në role të caktuara, në grabitjen e gati 3.2 milionë eurove në rrugën e Rinasit.

Kupa/ Apeli i Krimeve të Rënda shqyrtoi dje ankimin e bërë nga Dash Kupa për masën e sigurisë “arrest në burg”, caktuar nga Shkalla e Parë për të. Pasi u njoh me kërkesën e mbrojtësit të tij për një masë më të butë sigurie dhe atë të prokurorit për lënien e të akuzuarit në paraburgim, Kolegji Penal vendosi mosndryshimin e masës.

Apeli ka vlerësuar se nuk ka ndryshuar asnjë nga kushtet ligjore, që do të justifikonin ndryshimin e masës së sigurisë për Kupën. Edhe ky i fundit ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues në lidhje me akuzat e Prokurorisë që e lidhin me grabitjen në rrugën e Rinasit. Në seancat për caktimin e masës së sigurisë, Kupa ka pretenduar se në kohën kur ka ndodhur ngjarja, ka qenë në picerinë e tij në Fushë-Krujë, shkruan ‘panorama’.

“Kam qenë në ambientet e lokalit tim në zonën e Fushë-Krujës, ku edhe jam filmuar nga kamerat e sigurisë. Merrini pamjet dhe shikojini. Kam edhe dëshmitarë që kanë qenë në lokal në të njëjtin moment, të gatshëm ta thonë këtë fakt”, ka pretenduar Kupa në seancën në Shkallën e Parë.

Përplasi blindin me para në Qafë Kashar, Apeli lë në burg Dash Kupën

Grabitjet në rrugën e Rinasit, Murataj dhe Sinani lihen në qeli