Transmetuar më 18-03-2017, 15:59

Mbrëmjen e sotme pritet që të fillojë edicioni më i ndjekur në vendin tonë Big Brother. Në rastin e startit drejtuesja e këtij formati, Arbana Osmani organizoi një festë të hapur për mediat ku ndau disa detaje për Big Brother 9.

Të pranishëm ishin personalitet të ndryshëm dhe të njohur për publikun. Duke filluar me drejtuesit e medias motrat Hoxha, Ledjon Liço, ish-opinionistë dhe ish-banorë të edicioneve të mëparshëm.

Mes tyre janë edhe çifte që u dashuruan brenda shtëpisë, por që sot janë në drejtime të ndryshme nga njëri tjetri. Olsi i cili dikur kishte një lidhje brenda shtëpisë së “BB” me Noçen, rrëfehet për “Shekullin”.

Olsi keni qenë banor në Big Brother 1, shumë vite më parë, si e kujtoni sot momentin e parë kur startoi?

Kur unë kam atë momentin si çdo njeri tjetër që rri dhe mendoj për pak çaste ato momentet më eksituese të jetës time, çasti kur startoi formati ngelet gjithmonë një çast që vërtet më ngjall një lloj dëshire për ta përjetuar prapë atë lloj emocioni që vetëm BB ta dhuron.

Nëse do ju jepej mundësia të ishit sërish banor i Big Brother, a do pranonit? Çfarë strategjie do ndiqnit për të dalë fitues?

Po të më jepej mundësia të isha pjesë e këtij formati normal do e provoja prapë, por nuk di për këtu në Shqipëri, sepse edhe interesi i publikut për ta parë sërish një ish-banor se kam idenë sa i madh do ishte, por po të më ftonin diku jashtë do futesha pa hezituar. Normal ashtu si tek BB-1 unë nuk do futesha me strategji në mendje, sepse më pëlqen e panjohura dhe e paditura, më pëlqen të marr çdo ditë “at the time”, (në kohën e vet) megjithatë pa strategji thjesht enjoy every momentas it comes (shijoj çdo moment ashtu si vjen)

Sa i takon jetës private, mund të ndani diçka për lexuesit…

Jeta ime private e qetë për momentin, asgjë e re për ta ndarë me ju.

Si është raporti juaj më Noçen, pra a jeni miq?

Me Noçen jemi thjesht miq dhe ashtu do ngelim… thanks.