Transmetuar më 18-03-2017, 13:10

Tiranë, 18 mars 2017, NOA.al- Zbardhet ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme në periferi të Tiranës, në zonën e Bathores, ku një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Si të dyshuar për ngjarjen janë arrestuar Rasim C., 49 vjeç, L. C., 16 vjeç, Altin Barlika, 38 vjeç dhe K. P., 16 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se konflikti ka nisur, kur adoleshentët K. P., dhe L. C., janë konfliktuar midis tyre për motive që mbeten për t’u sqaruar.

Në këtë konflikt janë përfshirë edhe Aleksandër Barlika, Altin Barlika dajat e K. P., dhe Rasim C., babai i L. C., të cilët janë konfliktuar fillimisht me mjete të forta me njëri-tjetrin.

Konflikti më pas është përshkallëzuar në përdorim të armëve të zjarrit, e më saktësisht, Aleksandër Barlika (Bajrami) dhe Altin Barlika, vëllezër ndërmjet tyre, të shoqëruar dhe nga nipi i tyre K. P., kanë nxjerrë një armë tip pistolete dhe kanë tentuar të qëllojnë ndaj L. C., D. C., dhe Rasim C., ku në këtë kohë duke përfituar nga gjendja e rrëmujës së krijuar, L. C., ka marrë një armë gjahu, çifte me të cilën ka qëlluar Aleksandër Barlikën i cili ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra dhe ka plagosur Altin Barlikën.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë TT, me një krehër dhe 8 fishekë dhe një armë gjahu e tipit çifte.

Lidhur me këtë rast vijojnë ende hetimet, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë në bashkëpunim”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”./a.y/noa.al

Plagosje me armë zjarri, arrestohet 16 vjeçari