Transmetuar më 18-03-2017, 12:11

Tiranë, 18 mars 2017, NOA.al- Ndërsa sot opozita mbush një muaj që ndodhet në protestë, në çadrën para Kryeministrisë, kryedemokrati Lulzim Basha lëshoi një varg akuzash ndaj Kryeministrit Edi Rama.

Ai tha se kanabizimi është vepra më e zezë e Edi Ramës ndërsa e ka cilësuar kryeministrin si “surratsëz” dhe “sfaçiato” (i pafytyrë).

Kreu i PD deklaroi se vendi nuk do të bëjë zgjedhje fasadë që të rrijë “surrati yt në krye. Ti do të shporresh dhe ne do të kemi qeveri teknike”. Ai shtoi se rrugë tjetër nuk ka dhe nuk ka për të patur.

Sipas tij, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, kërcënohen sot nga njeriu që solli në pushtet krimin e organizuar dhe dëshiron të prishë zgjedhjet e shqiptarëve.

“Edi Rama sulmon me verbëri çdo person që kërcënon tiraninë e drogës, kur ka qytetarë që ia përplasin në fytyrë të vërteta si ndodhi dje në Shkodër apo në Facebook, siç ndodh kur sulmon pozitën demokratike me një fjalor të ndyrë, kur kërcënon ato media dhe gazetarë që nuk i shkojnë pas midesë. Me një akt thellësisht antikombëtar ai guxoi të sulmojë edhe Presidentin amerikan, jo nga interesat e shqiptarëve, po nga interesat e veta personale . Më 18 shkurt ju vendosët se Shqipëria nuk do të jetë më si parë”, u shpreh Basha.

Në vijim ai tha se Rama shndërroi Shqipërinë në një njollë turpi, ndërsa kërkoi që kreu i qeverisë të heqë dorë nga kërcënimet.

“Kërcënimet e tuaja nuk pinë më ujë me qytetarët shqiptarë. Shqipëria nuk do të bëjë zgjedhje fasadë me krimin e paratë e drogës që të rrijë surrati yt në pushtet. Ti do të shporresh e ne do të kemi qeveri teknike për zgjedhje të lira e të ndershme. Rrugë tjetër nuk ka e nuk ka për të patur”, deklaroi Lulzim Basha.

“Kërcënojnë këtë lëvizje qytetare dhe u thotë o të bëj zgjedhje fasadë, me krimin, me trafikantët, me deputetët dhe krerët e bashkisë, narkotrafikantë, përdhunues, vrasës me xhelatët e diktaturës ose do destabilizojë Shqipërinë, kë kërcënon mor surratsëz? Kujt i kujton ‘97 ti? Këtu është lëvizja më europiane, më qytetare, më paqësore më demokratike për të shporrur krimin dhe kriminelët që janë destabilizimi”, dekalroi Basha./a.y/noa.al