Transmetuar më 18-03-2017, 11:43

Tiranë, 18 mars 2017, NOA.al- Ndërsa kohëve të fundit janë shtuar deklaratat shpotitëse mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste, dy liderët e tyre kanë mbajtur një takim larg vëmendjes së medias në periferi të Tiranës.

Paraditen e sotme për afro një orë Kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta, kanë hyrë në një lokal në periferi të kryeqytetit, rrugës për në Sauk.

Takimi mes tyre ka qenë kokë më kokë, pa praninë e personave të tjerë. Nuk dihet ende çfarë është diskutuar gjatë tij, ndërkohë që LSI ende nuk i ka kthyer një përgjigje PS, nëse do të dalin bashkë në zgjedhje.

Nga ana tjetër prej një muaji opozita ndodhet në protestë dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të lira si dhe krijimin e një qeverie teknike.

Situata mes PS dhe LSI pati një tensionim ditën e djeshme, pasi Luan Rama akuzoi policinë se bën shfaqje televizive me korrjen e kanabisit, në një kohë që duhet veprim urgjent.

Në reagim ndaj tij ministri i Brendshëm në detyrë Saimir Tahiri, e cilësoi qëndrimin e LSI si të pasaktë dhe vetëm për vota.

Ai shkoi më tej duke bërë një etiketim si “hiena që kërkojnë dështimin e PS në zgjedhje”./a.y/noa.al