Transmetuar më 18-03-2017, 09:59

Fier, 18 mars 2017, NOA.al- Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, zhvilloi një takim me strukturat në Lushnje dhe në Fier.

Idrizi deklaroi në takimin e djeshëm se në të gjithë historinë e këtyre 25 viteve, por edhe me Kodin Zgjedhor të miratuar nga dy partitë e mëdha, është deformuar vota e shqiptarëve, duke shprehur kështu rezerva për Kodin Zgjedhor.

Nga Lushnja ai propozoi që të ketë një zonë elektorale në mënyrë që partitë politike të marrin përqindjen e votave që i takon.

“Pse të mos kemi një zonë elektorale që partitë politike të marrin përqindjen e votave që u takojnë dhe mbas kësaj të kenë mundësi të bëjnë dhe aleanca. Gjithkush të hyjë në zgjedhje, të provojë veten dhe në bazë të votave të qytetarëve të arrijmë të bëjmë koalicionet e mundshme dhe ky është propozimi ynë. Ne jemi në prag zgjedhjesh por duket sikur kemi dalë jashtë sistemit. Kemi dalë jashtë sistemit sepse disa parti nuk regjistrohen. Të gjithë flasin, sidomos dy partitë e mëdha, për zgjedhje të barabarta dhe transparente, por në të gjithë historinë e këtyre 25 viteve, por edhe me Kodin Zgjedhor të miratuar nga dy partitë e mëdha, janë ata që e kanë deformuar votën e shqiptarëve”, u shpreh Idrizi.

Ai tha se ky Kod Zgjedhor i detyron partitë politike të futen në koalicion dhe se të gjithë partitë e vogla humbasin 500-700 mijë vota, të cilat i kalojnë partive të mëdha, që në këtë rast janë edhe numëruese edhe përfituese të këtyre votave.

“Për të nxjerrë një deputet në Kukës duhet të kesh 30% të votave, për të nxjerrë një deputet në Tiranë duhet të kesh 3% të votave”, tha Idrizi në Lushnje.

Ndërsa në takimin me strukturat në Fier, Idrizi foli për krizën politike në vend. Sipas tij, kjo krizë është produkt i paafatësisë së klasës politike shqiptare.

“Një herë e bllokon bulevardin dhe politikën shqiptare njëra palë, një herë një palë tjetër dhe duket sikur jemi në përsëritje, një “Deja vu”, e cila e mban të mbërthyer konfliktin politik në Shqipëri. Kjo vjen sepse ne në Shqipëri në këto 25 vite, të cilët kanë qenë vite tranzicioni, kemi klasë politike të dështuar, e cila pikërisht për këto arsye ka instaluar konfliktualitetin e madh politik. Këtë krizë politike e shohim në Parlament, e shohim jashtë tij, e shohim kudo”, tha Idrizi.

Ai shprehu bindjen se ky konfliktualitet dhe kjo krizë është produkt i paaftësisë së klasës politike shqiptare dhe se duhet të jetë një klasë politike për të zgjidhur krizat dhe jo për t’i bërë ato të mundura.

Në këto takime ishte i pranishëm deputeti Aqif Rakipi, kryetari i PDIU-së në Lushnje Hamza Ismaili, kryetari i PDIU-së në Fier Nustret Avdullai, kryetarja e Forumit të Gruas të PDIU-së në Fier Brunilda Çami, si edhe përfaqësues të Klubit të Patriotëve të Rinj.