Transmetuar më 17-03-2017, 19:33

Në Greqi, policia ka pranuar të publikojë përkohësisht, fotot e një shqiptari që akuzohet për pedofili së bashku me një vendas.

Xhenaldo Osoja, i biri i Qazimit, lindur më 20 janar 1988 në Shqipëri, akuzohet se bashkë me Jorgo Evstathiadhi, 45 vjeç, nga Ptolemaidha e Greqisë,

I riu shqiptar dhe 45-vjeçari grek u arrestuan në Volos dhe Selanik më 21 shkurt 2017, por vetëm orët e fundit u bënë publike fotot e tyre të cilat u lejuan të jenë online në faqen zyrtare të Policisë së Greqisë për tre muaj, si dhe iu dhanë medieve greke, në përpjekje për të ndihmuar qytetarët që të bëjnë denoncime të reja mbi të akuzuarit për pedofili.

Për dy personat, janë ngritur zyrtarisht akuzat e pornografisë me të mitur dhe abuzim seksual përmes rrjetit online me të mitur duke i detyruar të paguajnë shuma parash në këmbim të mos nëpërkëmbjes së dinjitetit të tyre duke u publikuar foto intime.

Xhenaldo dhe Jorgo kishin hapur një profil Facebook-u ku kishin vendosur të dhëna të rreme identiteti dhe “peshkuan” një 17-vjeçar grek duke e bindur atë që t’u dërgojë foto intime. Më tej e kishin kërcënuar se do t’ia nxirrnin fotot në publik në rast se nuk u jepte një sasi eurosh që i kërkuan në formë gjobëvënieje.

Jo vetëm kaq, ata kishin kërkuar që djaloshi t’i shkonte grekut 45-vjeçar në një dhomë hoteli në Selanik.

Adoleshenti njoftoi policinë dhe kjo e fundit, përmes metodave speciale u përfshi në këtë “lojë” duke “peshkuar” ajo më tej shqiptarin dhe grekun.

Shqiptari u kap në Volos dhe përfundoi në qeli. Kurse greku u arrestua në një dhomë hoteli në Selanik ku ai priste t’i shkonte i mituri.

Policia tha se kërkon ndihmën e qytetarëve për të denoncuar raste të tjera të mundshme. Ajo publikoi dhe telefonat: 24210 – 76957 si dhe 24210 – 76955 të antikrimit në Volos duke premtuar anonimatin. /a.b/noa.al/