Transmetuar më 17-03-2017, 14:24

Tiranë, 17 mars 2017, NOA.al- Ministri i Brendshëm në detyrë Saimir Tahiri, i përgjigjet me gjuhë të ashpër Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me situatën e drogës në vendin tonë.

Ministri i shkarkuar nga Kryeministri Edi Rama, i cili është ende në detyrë deri në dekretimin e pasuesit të tij, përshëndet LSI për shprehjen e shqetësimit publik për vazhdimin e luftës kundër kanabisit.

Tahiri thotë se LSI e ka shprehur edhe më parë këtë shqetësim prioritar të Ministrisë se Brendshme dhe të Policisë së Shtetit në veçanti.

“Përfitoj nga rasti të falenderoj përfaqësuesin e nderuar të LSI, kryetarin e Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, i cili së bashku me të gjithë anëtaret e atij komisioni ka bashkëpunuar ngushtësisht me mua në çdo hap. Po ashtu zoti Braho, ka dhënë një kontribut të posaçëm në grupin ndërinstitucional të punës, për hartimin e planit të këtij viti për përshkallëzimin e kësaj lufte pa kompromis”, shkruan Tahiri në Facebook.

Ai thotë më tej se e sheh të udhës të saktësoj leximin e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas një zëdhënësi të LSI në një konferencë për shtyp sot.

Pa komentuar mbi këtë lexim të pasaktë, sipas të cilit fenomeni nuk qenka luftuar sa duhet, ministri shprehet se vë në dispozicion tekstin e katër raporteve të DASH në katër vite me radhë.

Sipas tij, mjafton një lexim krahasues për të kuptuar se sipas Departamentit të Shtetit, Shqipëria nuk u bë burim i rëndësishëm i prodhimit të marijuanës as vjet e as parvjet, po njihej si i tillë nga DASH që para se të merrej detyra nga mazhoranca aktuale.

Po ashtu, ministri thotë se leximi krahasues mjafton për të kuptuar se e vetmja gjë që ka ndodhur, është fakti se është rritur me shifra e fakte, forca goditëse e Policisë së Shtetit.

“E di se qëllimet politike të partive kundërshtare apo konkurrente me PS për të marrë sa më shumë vëmendje e vota, justifikojnë mjetet e propagandës partiake të secilit dhe vërtetësia e atyre që thonë kalon rëndom në plan të dytë. Por duke besuar se LSI, si partner strategjik në koalicionin qeverisës i detyrohet vërtetësisë së fakteve të qeverisjes, një vëmendje të veçante, uroj që leximi krahasues i raporteve të DASH për Shqipërinë, ta bejë edhe LSI të ndjehet krenare që ka nderin e madh të jetë aleate e PS në këtë fazë historike reformash për vendin”, deklaron ministri i Brendshëm.

Tahiri shprehet se nuk ka pritur dhe nuk pret ndërkohë që këtë lexim krejt të qartë sipas tij, të këndvështrimit të DASH mbi tre vite betejë kundër kultivimit të kanabisit, ta bëjnë kundërshtarët e betuar të Policisë së rilindur të shtetit.

“Qofshin këta të fundit në çadrën e pashprese të bulevardit, qofshin në çadrat e turpshme të emisioneve të porositura dhe komentatorëve të paguar apo qofshin në rolin e hienave të dala nga oborri i PS, që ëndërrojnë dështimin e Partisë Socialiste, përgjigjen e merituar e kanë marrë tre vjet e gjysëm nga puna jonë e përbashkët dhe do ta marrin nga populli i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë në 18 qershor”, thotë Tahiri.

Ai falënderon gjithë ata që mbështesin Policinë e Shtetit dhe për shpërfilljen e merituar ndaj atyre qe janë gati t’i rivenë zjarrin Shqipërisë, për të mos përfunduar prapa hekurave ku, thotë ministri, e kanë vendin prej kohesh.

“Drejtësia vonon po nuk harron!”, mbyll Tahiri qëndrimin e tij.

LSI: Policia të mos bëjë spektakël me korrje hashashi

Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu shqetësim për raportin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku thuhet se Shqipëria është burim i rëndësishëm i lëndëve narkotike.

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Luan Rama, në një konferencë për mediat ditën e sotme kërkoi që institucionet të reagojnë menjëherë, duke thënë se vendi po kanabizohet.

“Ka munguar bashkëveprimi shtetëror mes institucioneve. Duhet reagim i menjëhershëm, që tani, nga të gjitha organet e zbatimit të ligjit, ku në krye të të gjitha këtyre organeve është qeveria”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se Shqipëria vijon të mbetet një vend i rëndësishëm i marijuanës drejt Europës dhe më gjerë dhe se duhet reagim i të gjitha institucioneve ligjzbatues në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike.

“Policia të mos bëjë më spektakël me policë që korrin hashash. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse të reagojnë me përgjegjshmëri dhe në mënyrë konkrete dhe jo me fraza apo demagogji, për t’iu përgjigjur shqetësimit të përsëritur të partnerëve tanë strategjikë, të DASH dhe të antimafias italiane”, tha Rama.

I pyetur lidhur me ndryshimet në qeveri, ai tha se janë çështje ekskluzive e Kryeministrit dhe se LSI dhe Ilir Meta nuk ka bërë asnjë lëvizje.

Ai shtoi më tej se LSI ka reaguar me përgjegjshmëri kur ka ndjerë nevojën për të bërë ndryshime dhe ka ngritur probleme parimore edhe për ministritë që ka drejtuar.

Rama deklaroi se vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve dhe është shumë e rëndësishme sipas tij, për t’iu përgjigjur departamentit të DASH me veprim konkret për sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike.

Raportet e publikuara nga ministri Tahiri

Raporti DASH 2013

Për vitin 2012, Shqipëria ka qenë

– vend tranzit dhe destinacion për kanabis, heroinë dhe kokainë;

– vend prodhues i marijuanës së destinuar për vendet e BE;

Rritja drastike në konfiskimin e marihuanës (175% më shumë se në vitin 2011) gjithashtu nënkupton një rritje të prodhimit vendor. Provat tregojnë se rrjetet e trafikimit mund të jenë duke përfituar nga aktivitetet e reduktuara policore në vendet fqinje, duke anashkaluar Shqipërinë e cila ka shërbyer gjatë si një vend tranzit për në Evropën Perëndimore. Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është një prodhues i rëndësishëm i drogave të paligjshme apo drogave sintetike. Qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika të përdorimit të drogës, por konsumi i drogës përveç marijuanës nuk duket të jenë fenomen i përhapur.

Ndër arritjet e Policisë për 2012, statistikat shënojnë rritje të konfiskimeve dhe arrestimeve.:

– konfiskimet kanabis arritën gati 21.2 tonë metrikë (gati dyfishin e shumës konfiskuar në vitin 2011);

– zbulimet e heroinës dhe kokainës gjithashtu u dyfishuan përkatësisht në 87.7 kilogram (kg) dhe 4.6 kg. Megjithë rritjen e konfiskimeve, problematike mbetet burokracia e rëndë dhe rezultate e dobëta me pak dënime nga ana e institucioneve të zbatimit të drejtësisë e ligjit.

– 729 persona u arrestuan për vepra të lidhura me drogën, kryesisht trafikimin. Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi mbi 149 hetime, por vetëm 46 dosje çoi në gjykatë. Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda dha 56 dënime për trafikim gjatë vitit 2012.

Raporti DASH 2014

Për vitin 2013, Shqipëria ka qenë

– vend burimi i marijuanës së destinuar për tregjet evropiane dhe konsum lokal.

Volumi i drogës së prodhuar e të konfiskuar, dhe i arrestimeve ka vijuar në nivel të qëndrueshëm, kryesisht lidhur me Cannabis. Përmirësimi i trajnimit të policisë dhe teknikat (përfshirë analizën e zgjeruar të rrezikut në pikat e kalimit kufitar dhe përdorimin më të mirë të pajisjeve teknike të dhuruara) çuan në një rritje të drogës së sekuestruar dhe arrestimeve në 2013.

Bazuar në volumin e konfiskimeve, prodhimi vendas i marijuanës mbeti i lartë për të tretën vit radhazi, edhe pse nuk ka vlerësime zyrtare të totalit të kultivuar. Me përjashtim të marihuanës, përdorimi i drogës nuk duket fenomen i përhapur.

Pavarësisht nivelit të qëndrueshëm të lartë të kultivimit të kanabisit, Shqipëria ka vijuar rritjen e rezultateve në luftën kundër drogave të paligjshme në vitin 2013. Sipas statistikave shtetërore shqiptare, për vitin 2013 Policia e Shtetit tejkaloi volumin e arrestimeve dhe drogës së konfiskuar krahasuar me ato të 2012-ës.

Ndër rezultatet e saj, Policia e Shtetit shënoi:

– Konfiskime të kanabis deri në 33 tonë metrikë (MT), shumë më tepër se 21.2 MT konfiskuar në 2012.

– Sekuestrime të 47.3 kg heroinë dhe 16.1 kg kokainë;

– Arrestimin e 803 personave për trafik droge (çka tejkalon shifrën e 729 arrestimeve në 2012).

Raporti DASH 2015

Për vitin 2014, Shqipëria rezultoi:

– vend i rëndësishëm burimi për marijuanën, si dhe një pikë transferimi për kokainën dhe heroinën e destinuar për tregjet evropiane.

– rriti dukshëm numrin e konfiskimeve të drogës dhe arrestimeve. Kjo mund t’i atribuohet rritjes së bashkëpunimit mes partnerëve rajonalë (sidomos me njësitë e vëzhgimit të Policisë Italiane), kombinuar me një angazhim më të madh nga ana e liderëve politikë dhe autoriteteve ligjzbatuese për t’u përballur me prodhimin dhe trafikimin e drogës, çka çoi në një rritje të aksioneve në rang kombëtar.

Për vitin 2014, sipas statistikave të saj Policia e Shtetit shënoi:

– konfiskim të marijuanës deri në 101.7 tonë metrikë (MT) gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2014, dukshëm më shumë se totali prej 96 MT konfiskuar në periudhën 200-2013.

– Shkulje dhe shkatërrim të 530,177 bimë marihuanë në 2,214 parcela individuale, (shumica e të cilave e identifikuar nga fluturimet e mbikqyrjes italiane);

– Konfiskim i 63 kg heroinë dhe 23 kg kokainë;

– Arrestim (edhe falë Policisë Kufitare) i 1,058 persona për vepra të lidhura me trafikimin e drogës për 9 mujat e parë të vitit (duke tejkaluar 803 arrestimet në total të vitit 2013).

– Ndalim i një ngarkese prej 250 kg kokainë në portin malazez të Barit që ishte destinuar për Shqipërinë dhe transferim të mëtejshëm në Evropë (në bashkëpunim edhe me agjencitë e zbatimit të ligjit në Evropë dhe Amerikën e Jugut ).

Raporti DASH 2016

Gjatë vitit 2015, Shqipëria mbetet

– vendburim i madh i marijuanës, si dhe një rrugë tranziti për dërgimin e kokainës dhe heroinës së destinuar për tregjet evropiane.

Gjatë vitit 2015 autoritet shqiptare shënuan një seri mbresëlënëse arrestimesh dhe sekuestrimesh kundër prodhimit të drogës dhe rrjeteve të trafikimit që veprojnë në vend, duke vijuar kësisoj prirjen e nisur në vitin 2014. Ky sukses mund t’i atribuohet

– bashkëpunimit të vazhdueshëm rajonal me njësitë italiane të mbikëqyrjes

– dhe një impenjimi më të madh nga ana e drejtuesve qeveritarë dhe të Policisë për të përcaktuar përparësitë në luftën kundër drogës.

Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është një prodhues i rëndësishëm i drogave të paligjshme, kimikateve pararendës, apo drogave sintetike. Qeveria e Shqipërisë nuk ka statistika matëse të përdorimit të drogës. Me përjashtim të marijuanës, përdorimi i paligjshëm i drogës nuk duket të jenë fenomen i përhapur.

Deri në Tetor 2015, sipas Policisë së Shtetit (ASP) shënohen këto arritje:

– konfiskimi i një totali prej 6.87 tonë metrikë marijuana;

– shkulje dhe shkatërrim I 689,815 bimë marijuane në 44 hektarë tokë sipas identifikimit të fluturimeve survejuese italiane;

– sekuestrim i 55.3 kg heroinë dhe 26.4 kg kokainë;

– arrestimi (edhe falë Policisë Kufitare) i 827 personave për vepra të lidhura me trafikimin e drogës.

Raporti DASH 2017

Shqipëria mbetet një vend i rëndësishëm për prodhimin e marijuanës, e gjithashtu një rrugë tranziti për kokainën dhe heroinën e destinuar për tregjet europiane. Ndërsa autoritetet shqiptare raportonin një rritje të arrestimeve dhe shkatërrim të ngastrave me kanabis në 2016, nga ana tjetër kishte raportime të shtimit të kultivimit të kanabisit në vend. Autoritetet shqiptare vazhduan bashkëpunimin rajonal me njësitë vëzhguese të Policisë Italiane dhe pati një rritje të numrit të fluturimeve për vëzhgimin e drogës në krahasim me vitin pararendës. Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është prodhuese e rëndësishme e drogave të paligjshme, kimikateve prej të cilave prodhohet drogë, apo drogave sintetike. Qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika për shkallën e përdorimit të drogave. Me përjashtim të marijuanës përdorimi i drogës nuk duket të jetë i shpeshtë.

Sipas Policisë së Shtetit të Shqipërisë, në 2016 u kapën 30.14 metric tons (MT) marijuanë ndërkaq u shkulën në total 2.453.628 rrënjë kanabis. Gjatë fluturimeve kontrolluese (zbuluese) të Guardia di Finanza-s u identifikuan 2086 ngastra kanabisi dhe po kështu u konstatua një 5-fishim i nivelit të përgjithshëm të kultivimit. Policia e Shtetit kapi gjithashtu 57.33 kg heroinë dhe 7.16 kg kokainë.

Policia e Shtetit, duke përfshirë dhe policinë e kufirit, arrestoi 1.349 persona për krime që kanë të bëjnë me trafikun e drogës gjatë vitit 2016. Prokuroria e Krimeve të Rënda hetoi 273 procedime penale për trafik droge. Në këtë total përfshihen edhe 115 çështje të bartura nga vitet e mëparshme, ndërkaq 158 procedime u filluan gjatë vitit 2016. Gjatë 2016-ës Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi para gjykatës 55 dosje, në ngarkim të 81 të pandehurve. Gjykata e Krimeve të Rënda dha 65 vendimet fajësie, duke përfshirë edhe verdiktet e çështjeve që ishin bartur në këtë vit.