Transmetuar më 17-03-2017, 14:11

Tiranë, 17 mars 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për drogën.

Sipas tij, në të tregohet se sa shumë punë është bërë për të luftuar kanabisin.

“Raporti i Departamentit të Shtetit provon sa shumë është bërë në luftën kundër kanabisit. Shumë mbetet për t’u bërë dhe do të bëhet se s’bën”, shkruan Rama në Facebook.

Ndërkohë DASH thotë se Shqipëria është vend ku dominon trafiku i drogës dhe ku pastrohen lehtësisht paratë e saj.

Por duket se ky raport lexohet ndryshe nga aleati qeverisës i Partisë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila e cilëson si problem që duhet të marrë reagim urgjent situatën e kanabisit në vend.

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Luan Rama, në një konferencë për mediat ditën e sotme kërkoi që institucionet të reagojnë menjëherë, duke thënë se vendi po kanabizohet.

“Ka munguar bashkëveprimi shtetëror mes institucioneve. Duhet reagim i menjëhershëm, që tani, nga të gjitha organet e zbatimit të ligjit, ku në krye të të gjitha këtyre organeve është qeveria”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se Shqipëria vijon të mbetet një vend i rëndësishëm i marijuanës drejt Europës dhe më gjerë dhe se duhet reagim i të gjitha institucioneve ligjzbatues në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike.

“Policia të mos bëjë më spektakël me policë që korrin hashash. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse të reagojnë me përgjegjshmëri dhe në mënyrë konkrete dhe jo me fraza apo demagogji, për t’iu përgjigjur shqetësimit të përsëritur të partnerëve tanë strategjikë, të DASH dhe të antimafias italiane”, tha Rama.

Ai deklaroi se vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve dhe është shumë e rëndësishme sipas tij, për t’iu përgjigjur departamentit të DASH me veprim konkret për sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike./a.y/noa.al