Transmetuar më 17-03-2017, 13:21

Tiranë, 17 mars 2017, NOA.al- Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësim për raportin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku thuhet se Shqipëria është burim i rëndësishëm i lëndëve narkotike

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Luan Rama, në një konferencë për mediat ditën e sotme kërkoi që institucionet të reagojnë menjëherë, duke thënë se vendi po kanabizohet.

“Ka munguar bashkëveprimi shtetëror mes institucioneve. Duhet reagim i menjëhershëm, që tani, nga të gjitha organet e zbatimit të ligjit, ku në krye të të gjitha këtyre organeve është qeveria”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se Shqipëria vijon të mbetet një vend i rëndësishëm i marijuanës drejt Europës dhe më gjerë dhe se duhet reagim i të gjitha institucioneve ligjzbatues në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike.

“Policia të mos bëjë më spektakël me policë që korrin hashash. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse të reagojnë me përgjegjshmëri dhe në mënyrë konkrete dhe jo me fraza apo demagogji, për t’iu përgjigjur shqetësimit të përsëritur të partnerëve tanë strategjikë, të DASH dhe të antimafias italiane”, tha Rama.

I pyetur lidhur me ndryshimet në qeveri, ai tha se janë çështje ekskluzive e Kryeministrit dhe se LSI dhe Ilir Meta nuk ka bërë asnjë lëvizje.

Ai shtoi më tej se LSI ka reaguar me përgjegjshmëri kur ka ndjerë nevojën për të bërë ndryshime dhe ka ngritur probleme parimore edhe për ministritë që ka drejtuar.

Rama deklaroi se vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve dhe është shumë e rëndësishme sipas tij, për t’iu përgjigjur departamentit të DASH me veprim konkret për sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike./a.y/noa.al 

Konferenca e plotë e Luan Ramës

Siç keni bërë të ditur edhe ju përmes publikimit apo transmetimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ky raport konfirmon edhe një herë faktin e rëndë, që Shqipëria vazhdon të mbetet një burim i rëndësishëm për marijuanën dhe një rrugë e kokainës dhe heroinës për në vendet e Bashkimit Evropian kryesisht, apo me destinacion Evropën.

Ky konstatim shqetësues kërkon menjëherë një reagim konkret, të përgjegjshëm, të të gjitha institucioneve ligjzbatuese, të të gjitha agjencive që kanë për detyrë luftën kundër veprimtarisë së trafikut, kultivimit, shitblerjes së drogës dhe një reagim të përgjegjshëm të të gjitha institucioneve shtetërore.

Lëvizja Socialiste për Integrim në vazhdimësi dhe në vijimësi ka qenë e vendosur dhe gjithnjë ka apeluar për rëndësinë që merr reagimi i përgjegjshëm, lufta e vendosur dhe pa asnjë hezitim, pa asnjë ekuivok, ndaj çdokujt që rezulton i implikuar në kultivimin apo trafikimin e lëndëve narkotike.

Është e rëndësishme, jo thjesht për imazhin e vendit, por është e rëndësishme të dëshmojmë realisht përgjegjshmëri dhe angazhim konkret në këtë sfidë të madhe, në mënyrë që Shqipëria të mos vazhdojë të bëjë më spektakle me transmetime televizive të policëve që çohen për të korrur kanabis apo lëndë të tjera narkotike.

Shteti, institucionet e tij, e kanë për detyrë të parandalojnë dhe të luftojnë këtë veprimtari kriminale, siç kanë për detyrë të luftojnë çdo shfaqje të veprimtarisë kriminale, të shkeljes së ligjit apo korrupsionit dhe kështu me radhë.

Prandaj, nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe një herë, i bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore përgjegjëse, të reagojnë menjëherë, me përgjegjshmëri dhe në mënyrë konkrete, jo me fraza, jo me demagogji dhe as me akuza apo kundërakuza, por në mënyrë konkrete dhe me veprim konkret për t’iu përgjigjur në këtë mënyrë shqetësimit të përsëritur të partnerëve tanë strategjikë, për t’iu përgjigjur në këtë mënyrë shqetësimit të përsëritur të Departamentit Amerikan të Shtetit, por edhe për t’iu përgjigjur shqetësimit të shfaqur më parë nga anti-mafia italiane, apo nga struktura të tjera partnere, të cilat punojnë dhe janë gjithashtu të shqetësuara për këtë situatë të rëndë kriminale, që ka të bëjë me kultivimin apo trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria.

Z. Rama, këtë spektakël siç e quani ju të policëve që shfaqen duke korrur hashash e jep qeveria ku ju jeni bashkëpërgjegjës nëse mund ta quajmë kështu. A ka komunikim brenda koalicionit apo vetëm deklarata që ju i bëni nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim për këtë shqetësim kaq të madh dhe kush është reagimi i Kryeministrit Rama? Dhe a mendoni se ndryshimet e reja në qeveri, lëvizja e z. Tahiri dhe ardhja e z. Xhafaj nëse Presidenti do ta dekretoj do të ketë ndonjë ndryshim? Si e vlerësoni ju në përgjithësi këto ndryshimet në qeveri?

Më lejoni të theksoj edhe një herë, për sa ai përket shqetësimit dhe problemit të madh të kanabizimit të vendit dhe të luftës për ta parandaluar dhe goditur këtë veprimtari kriminale qëndrimi i LSI-së ka qenë gjithnjë institucional. Pra, ne e kemi bërë prezent këtë shqetësim në të gjitha nivelet e përfaqësimit tonë në qeverisje. Ka qenë politik, ka qenë qytetar, ka qenë inkurajues dhe mbështetës për të gjitha organet e zbatimit të ligjit dhe edhe për këtë arsye jam sot këtu për të kërkuar publikisht të njëjtën gjë që ne e kemi detyrim ligjor si përgjegjësi të qeverisjes ndaj vendit, ndaj qytetarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar.

Çfarë dua të them? Fakti që Shqipëria u evidentua si vend i kanalizuar, fakti që raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit e rikonfirmon edhe njëherë shqetësimin apo faktin e rëndë që Shqipëria është një burim i rëndësishëm i marijuanës dhe një rrugë e rëndësishme e trafikimit të heroinës dhe kokainës për BE-në do të thotë që më e pakta ka munguar eficienca e veprimit të organizuar shtetëror dhe agjencive të zbatimit të ligjit për të mos lejuar krijimin e këtij realiteti.

Ndaj edhe një herë insistoj që reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, konkret që tani, që në këtë çast nga të gjitha organet e zbatimit të ligjit. Dhe në mënyrë të veçantë, kur them organet e zbatimit të ligjit kam parasysh në krye të gjithë atyre organeve, qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

Për sa i përket ndryshimeve në qeveri, ato janë çështje ekskluzive e Kryeministrit. LSI dhe as Ilir Meta, as ka bërë ndonjëherë dhe as ka ndërmend të bëjë ndonjë kërkesë për të larguar apo për të vënë “X”-in apo “Y”-in ministër. Ne kemi reaguar me shumë përgjegjshmëri edhe si forcë politike në qeverisje edhe kur kemi ndjerë nevojën për të bërë ndryshime. Kemi bërë ndryshime edhe me përfaqësuesit tanë në qeveri. Kemi ngritur probleme parimore dhe vazhdojmë të jemi shumë parimor dhe luajal si të përgjegjshëm në qeverisje edhe për ministritë që kemi drejtuar dhe që drejtojmë ne. Dhe nga kjo pikëpamje nuk kemi ndonjë gjë të ndarë dhe asgjë që të na bëjë të hezitojmë të dalim para publikut dhe të apelojmë gjithnjë për të rritur forcën e veprimit ligjor dhe institucional e të përgjegjshëm të shtetit në luftë kundër trafikimit dhe kultivimit të drogës.

Jemi në prag të zgjedhjeve dhe është shumë e rëndësishme dhe prandaj them që duhet reaguar që tani, që sot, menjëherë, në kushte alarmi do të thoja, për t’iu përgjigjur shqetësimit të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë me veprim konkret që 2017-a të mos jetë një kopje e 2016-s për sa i përket kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Po një opinion për emrat e rinj që janë propozuar si ministra?

Nuk kam asnjë opinion, sepse thashë për sa kohë vlerësimi im është institucional dhe respektoj tagrat kushtetues të Kryeministrit, sepse është përgjegjësi e tij kushtetuese dhe këtë gjë LSI-ja e ka bërë me të gjithë Kryeministrat ku ka qenë në qeveri dhe kjo është një konstante e pandryshueshme e sjelljes tonë institucionale. Pra, është një e drejtë kushtetuese e Kryeministrit dhe respektojmë zgjedhjen që ai ka bërë. Kushtetuta ia jep atij këtë përgjegjësi dhe ai është në ushtrim të së drejtës së vet kushtetuese.

Z. Rama a jeni të gatshëm ju si LSI të kaloni mbi trupin e Lulëzim Bashës dhe të votoni në Kuvend kandidaturën e Fatmir Xhafës si ministër duke pasur parasysh rezervat që ka artikuluar dendur PD kohët e fundit madje edhe kërcënime?

Si e shihni rezervën që ka Presidenti i Republikës, të artikuluar nëpërmjet burimeve në media, pikërisht për figurën e z. Xhafa?

Ne jemi të gatshëm për të bërë çdo gjë ligjore institucionale dhe politike për të garantuar përfundimisht dhe përgjithmonë zhdukjen e njollës të kompromentimit apo implikimit të zgjedhjeve të lira dhe korrekte dhe të ndershme në Shqipëri. Ne jemi forcë politike që priremi dhe kemi vlerë tonën dialogun, mirëkuptimin, tolerancën.

Nuk kemi aplikuar në asnjë rast dhe nuk aplikojmë me askënd gjuhën e ultimatumeve, por kërkojmë, dhe prandaj politika është art i të mundshmes, që të shfrytëzojmë të gjitha instrumentet politik, dialogun, mirëkuptimin, dhe transparencën për të bërë të mundur zgjidhjen dhe kapërcimin e çdo problemi të krijuar. Pastaj ultimatumet të kalojë mbi trupin e këtij apo të kthehen mbi trupin e atij nuk janë pjesë e sjelljes sonë politike dhe as nuk preferoj t’i komentoj më tej ato.

Z. Gramoz Ruçi ka deklaruar sot nga Fieri se po krijohet një situatë e vështirë, madje destabiliteti sa i përket nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri. Cili do të jetë roli i LSI-së në këtë proces dhe a ka LSI-ja ndonjë kandidat përsa i përket zgjedhjes së ri të kreut të shtetit?

Nuk e di dhe nuk e njoh qëndrimin apo deklaratën që ka bërë z. Ruçi në Fier. Ne do të përgjigjemi në mënyrë institucionale në kohën kur Kushtetuta të na thërrasë të ushtrojmë përgjegjësitë tona për të zgjidhur problemin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

A ka LSI një projekt ose një plan konkret që i është ofruar Kryeministrit Rama për të rikthyer opozitën në Parlament, në një kohë që duhen votuar komisionet e Vetting-ut ku ata kanë tre përfaqësues, pra opozita, ndërkohë situata është e bllokuar në këtë drejtim?

Pyetja e dytë ka të bëjë me rinovimin e koalicionit me PS-në, ndërkohë që jemi në prag të datës historike 1 prill. A keni dhënë ju sinjale të sigurta Kryeministrit, i cili u shpreh në “Top Story” se është plotësisht i sigurt që do ta rinovojë kontratën me LSI-në dhe kur do të mblidhen forumet e partisë tuaj për ta vendosur?

Për sa i përket pyetjes tuaj të parë që ka të bëjë me planin për të kapërcyer, për ta rrumbullakosur situatën politike, ne kemi qenë dhe jemi të bindur që përmes dialogut politik dhe tolerancës, përmes sjelljes qytetare dhe jo arrogancës, është e mundur të kapërcehen dhe të zgjidhen situata të çfarëdollojshme përsa i përket konfliktit apo mos trajtimeve politike.

Ndërsa për sa i përket çështjes së dytë që ju shtroni, ne në respekt të të gjitha afateve që burojnë nga detyrimet kushtetuese, do të përgjigjemi në mënyrë institucionale dhe korrekte me shumë përgjegjësi. Ajo që unë e kam thënë dhe po ua përsëris, është e rëndësishme që të mos shpërqendrohemi nga angazhimi për të përmbushur të gjitha detyrimet qeverisëse, dhe nëse fola sot dhe apelojë për një reflektim të përgjegjshëm dhe të menjëhershëm, për t’ju përgjigjur me veprim konkret shqetësimit të partnerëve tanë ndërkombëtar, që ka të bëjë me atë çka është në fakt ngjarja e ditës sot dhe për të cilën unë jam në këtë konferencë shtypi. Pra, lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, edhe kjo është një shenjë e përgjegjshmërisë tonë dhe angazhimit tonë maksimal në qeverisje për të bërë të mundur edhe përmbushjen e këtij prioriteti, që është një prioritet kombëtar, sepse Shqipëria nuk mund të jetë më vendi i kanabisit apo vendi i kanabizuar, aq më tepër po të kemi parasysh sfidat e mëdha që ka përpara e gjithë shoqëria jonë.

Dhe kur flasim për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, duhet që edhe politika të sillet në trendin e aspiratës dhe të pritshmërive të gjeneratës tjetër.

Një sqarim ju lutem për sa i përket votës së LSI-së në seancën e djeshme për sa i përket votimit për drejtoreshën e AMF-së. Përse nuk ishte i bashkuar qëndrimi i mazhorancës, pasi pavarësisht votimit të fshehtë duket se tashmë pakkush ka dyshime se votat kundër vinin nga LSI?

Dhe pyetja e dytë ka të bëjë me disa qëndrime që gjenden dhe po shtohen në fakt në media nga analistë dhe komentatorë të ndryshëm përsa i përket rolit të LSI-së në situatën aktuale politike. Ka disa që pretendojnë se LSI po flirton në një lloj mënyrë me çadrën e protestuesve të ngritur nga PD, ka dhe të tjerë që mendojnë se LSI është problem i qeverisjes aktuale. Nëse keni ju një koment për ta?

Atëherë, më lejoni ta mbyll këtë konferencë shtypi duke u fokusuar tek përgjigja për pyetjen tuaj të dytë, sepse çështja e parë që parashtroni është krejt minore dhe periferike përballë prioritetit dhe alarmit, shqetësimi dhe angazhimin që duhet të shfaqim ne përballë luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Për sa i përket asaj që ju i referoheni, analistëve apo komentatorëve që thonë që problemi është LSI-ja, më falni, natyrisht ka edhe njerëz me oshilacione, me deformime, me perceptime të gabuara për të mos përdorur ndonjë term tjetër, sepse shoqëria prandaj është e larmishme, asnjëherë nuk ka qenë, nuk është dhe asnjëherë nuk do të jetë problemi LSI-ja.

Problemi ka qenë dhe mbetet oligarkia. Prandaj ky është prioriteti ynë, ky është angazhimi ynë dhe kur them oligarkia, kam parasysh oligarkinë me gjithë dimensionin e saj: oligarkinë në aspektin ekonomik, oligarkinë e krimit, oligarkinë e koncesioneve, oligarkinë e presioneve, oligarkinë e ultimatumeve dhe gjithçka tjetër që kontaminon dhe deformon angazhimet prioritare që kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve shqiptar me përmbushjen e detyrimeve ndaj qytetarëve në radhë të parë dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtar.