Transmetuar më 17-03-2017, 12:38

Tiranë, 17 mars 2017, NOA.al- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Autoritetin për Mediat Audiovizive, për monitorimin e fushatës sё zgjedhjeve për Kuvend, të datës 18 qershor.

Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga kryetari i KQZ, Denar Biba dhe kryetari i AMA, Gentian Sala.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba në fjalën e tij vlerësoi bashkëpunimin mes dy institucioneve, duke vënë theksin tek rëndësia që ka monitorimi i fushatës në media nga Bordi i Monitorimit të Medias dhe rolin që ka Autoriteti i Mediave Audiovizive në këtë proces.

Nga ana e tij, kreu i AMA tha se, për të ofruar monitorim cilësor dhe profesional, këtë vit synohet rritja e kapaciteteve monitoruese për radio-televizionet gjatë fushatës zgjedhore,  duke vënë në dispozicion të BMM-së dy studiot e monitorimit.

Marrëveshja u nënshkrua në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe ka si qëllim përcaktimin e rregullave, mënyrën dhe afatet e shfrytëzimit të kapaciteteve teknike dhe njerëzore të AMA-s, për monitorimin e fushatës zgjedhore, në radio-televizionin publik dhe në radio-televizionet private.