Transmetuar më 17-03-2017, 11:55

Tiranë, 17 mars 2017, NOA.al- Plani i Përgjithshëm Vendor që u miratua në fund të dhjetorit nga Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet që ta shndërrojë Tiranën sikurse u transformua edhe Pazari i Ri.

Kështu tha sot kryebashkiaku Erion Veliaj, në fjalën e mbajtur në konferencën me temë “Të jesh qytet sot”.

“Natyrisht, do të ngjallim shumë diskutim, debat, kritika e padyshim edhe baltë, sepse këtu balta s’mungon kurrë. Por rezultati i zbatimit të këtij plani është një transformim po aq i thellë i Tiranës sa edhe i Pazarit të Ri. Plani i Përgjithshëm Vendor është sot në hapat e fundit drejt miratimit në KKT. Masterplani për zhvillimin e zonës, e cila do të ketë një studim të veçantë brenda PPV, do t’i hapë rrugë zhvillimit të kësaj poliqendre të re të Tiranës, e para ku është investuar fillimisht në infrastrukturë, kanalizime, gjelbërim e hapësirë rekreacionale, përpara se t’i hapet rrugë zhvillimit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se përfundimi i tre projekteve, Pazarit të Ri, sheshit ‘Skënderbej’ dhe Bulevardit të Ri, i shtojnë kryeqytetit jo vetëm tre hapësira zhvillimi, por edhe tre hapësira që do të përmirësojnë cilësinë e jetesës dhe shëndetin e qytetit.

“Sheshi ‘Skënderbej’ do të jetë praktikisht një pyll në kërthizën e gjithë hapësirës shqiptare. Në kilometrin 0 të shqiptarëve. Parku qendror në Bulevardin e Ri po ashtu. Pra, boshti i kryeqytetit, nga Lumi i Tiranës e deri tek Parku i Liqenit, do të shndërrohet praktikisht në një kompleks parqesh e gjelbërimi që do ta bëjnë Tiranën më të bukur, më të gjelbër, më njerëzore. Unë besoj se ky fokus tek gjelbërimi, cilësia e jetesës, hapësirat rekreacionale dhe hapësirat e jetesës në komunitet, janë elementët më revolucionarë të Tirana030”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se kryeqyteti është tashmë edhe në një pikë kthese në kulturën e lëvizshmërisë në Tiranë, ku transporti urban, një nga shtyllat e Tirana030, shihet gjithnjë e më shumë si një alternativë cilësore, dinjitoze ndaj makinave personale. 

“Ka tashmë në Tiranë disa hapësira ku qytetarët mund të shohin filozofinë e këtij plani dhe kësaj bashkie në veprim. Siç janë Pazari i Ri, apo Parku i Madh i Liqenit apo siç do të jetë së shpejti sheshi ‘Skënderbej’. Jo larg nga sot, brenda mandatit tonë të parë, do të jenë kthyer në realitet edhe shumë nga projektet e tjera të parashikuara këtu”, tha ai./a.y/noa.al