Transmetuar më 16-03-2017, 18:00

Baku, 16 mars 2017, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani takoi sot homologun maqedonas Gjorge Ivanov, në kuadër të pjesëmarrjes në forumin e pestë Global të Baku-së.

Gjatë takimit me Presidentin Ivanov, Nishani shprehu qëndrimin e Shqipërisë për marrëdhënie të mira, miqësore e bashkëpunimi me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë fqinjën e drejtpërdrejtë, Maqedoninë.

Duke iu referuar situatës paszgjedhore në Maqedoni, Presidenti Nishani shprehu shqetësimin për situatën e përgjithshme politike dhe marrëdhëniet ndëretnike atje, si dhe theksoi tentativat për ta transferuar krizën nga domeni politik në atë etnik, mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë.

Kreu i Shtetit tha gjithashtu se, Shqipëria asnjëherë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të një shteti tjetër, dhe aq më pak të vendeve fqinje.

Lidhur me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Presidenti Nishani deklaroi se ata janë një faktor shtetformues dhe Shqipëria do t’i mbështetëse në kërkesat e tyre legjitime për respektim dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit./a.y/noa.al