Transmetuar më 16-03-2017, 11:19

Bashkia e Tiranës synon të rrisë nivelin e përfshirjes së grupeve të interesit në organizimin dhe buxhetimin e shërbimeve mbështetëse në komunitet për të moshuarit.  Në forumin me temë “Shërbimet mbështetëse në komunitet për të moshuarit”, organizuar nga Bashkia, u diskutua për mundësinë e afrimit të ofruesve të shërbimeve dhe të përdoruesve të shërbimeve në një bashkëbisedim lidhur me sfidat e moshimit, duke ndikuar në organizimin dhe buxhetimin kosto efektiv të shërbimeve për të moshuarit. 

Kreu i Bashkisë komentoi projektet për të moshuarit në Tiranë duke përmendur edhe iniciativën “Kafe me gjyshin”. Veliaj tha se Bashkia u shërben rreth 5 mijë të moshuarve në Tiranë.  Ai theksoi se nisur dhe nga situata e emergjencave të këtij viti, Bashkia do të ngrejë edhe rezervat për kapërcimin e situatave të ngjashme në vitet e ardhshme për t;u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

Një tjetër nismë që përmendi kreu i Bashkisë lidhet dhe me ndihmën që punonjësit e Bashkisë dhe punonjësit socialë do të japin për moshën e tretë për sensibilizimin e tyre për të kryer kontrollin mjekësor falas, ose siç njihet ndryshe, Check-up.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se në një kohë që Tirana ka një dyndje të madhe demografike, ka nevojë për një planifikim social që do të shtrihet në nivel kapilar. “Disa nga gjërat që ne besojmë duan planifikim, urbanizim, por mbi të gjitha planifikimi social. Planifikimi social nuk duhet të jetë vetëm në raste krizash, por duhet të jetë në mënyrë sistematike. Duhet në nivel kapilar, me administratorët e pallateve, me administratorët e njësive që ne të kemi një hartë ekzakte të nevojave që ka komuniteti”, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj i bëri apel gjithë shoqërisë së të tregojë një vëmendje të veçantë për të moshuarit. ““Braktisja e gjyshërve jo normale. Ka të moshuar që nuk i vizitojnë të afërmit. Nuk të kushton gjë të marrësh në telefon. Sot biletat më të lira dhe nuk të kushton asgjë të vish njëherë në vit t’i shikojnë prindërit.

Janë në moshë madhore duhet të mos i braktisin dhe t’i lënë në dorë të organizatave bamirëse. Në këtë dalldi të tranzicioni ka pasur edhe një dalldi në familje. Ndryshe nga ekonomia, familja jonë nuk ka bërë progres por regres. Njerëzit kanë fituar para më shumë por janë bërë më pak njerëz”, u shpreh Veliaj./b.l/noa.al/