Transmetuar më 15-03-2017, 16:26

“Marrëveshja e Përzhinës mbetet bazë e mirë për tejkalimin e krizës politike në vend. Vendimin për këtë duhet ta marrin qytetarët, gjegjësisht liderët politikë”.

Kështu tha sot ambasadori amerikan në Shkup, Xhejs Bejli i cili mori pjesë në aktivitetin përfundimtar të projektit të USAID për integrim ndëretnik në arsim.

“Nuk e di nëse ka Përzhinë një, dy, tre... Kishim sistem të vendosur nga maji deri në korrik të vitit 2016, i cili parashikonte kriza të zgjidhet me kthimin në Kuvend, me krijimin e kushteve për zgjedhje të mira dhe korrekte, për ballafaqim me çështjen e bisedave të përgjuara të kundërligjshme, si u bënë ato dhe çfarë zbulojnë, dhe pastaj të vazhdojmë me prioritet reformuese. Vlerësoj se kjo mbetet bazë e mirë që të ecim para. Nëse i shikoni këto elemente, mendoj se mund të shihni mënyrën si të ecni para”, tha Bejli i pyetur nga gazetarët për sugjerimin për zgjidhjen e krizës dhe nëse “Përzhina “" është opsion.

Ai shtoi më tej, se vendimi për këtë është i liderëve politikë në vend.

“Ne mbetemi partnerë dhe miq të Maqedonisë, duam të ndihmojmë që procesi të ecë përpara, por në fund të ditës gjithçka varet prej jush, nga qytetarët, nga liderët tuaj, të funksionojnë institucionet demokratike. Kemi tensione në shoqëri, ka ndarje dhe me rëndësi është që institucionet të afrojnë qytetarët bashkë”, deklaroi Bjeli.

I pyetur lidhur me ndarjen e mandatit për formimin e qeverisë së re ai përsëriti se pritet që presidenti Ivanov ta rishqyrtojë vendimin e tij.

“Vlerësojmë se ky nuk ishte vendim i drejtë dhe shpresojmë se do ta rishqyrtojë. Mendoj se është me rëndësi që institucionet demokratike të funksionojnë dhe në të janë përfshirë zgjidhjet”, deklaroi ambasadori Bejli.