Transmetuar më 15-03-2017, 15:19

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë ka reaguar me ashpërsi sot, pak ditë pasi kryeministri Edi Rama ka propozuar për postin e ministrit të Brendshëm, deputetin socialist Fatmir Xhafaj.

Në një deklaratë të gjatë dhe me një fjalor të ashpër, zoti Xhafaj konsiderohet si një “bashkëpunëtor i ish diktatorit kriminel Enver Hoxha, dhe një hetues që ka dhunuar të drejtat dhe liritë e njeriut ndaj kundërshtarëve të diktaturës”.

Duke ju drejtuar kryeministrit Rama, Unioni e konsideron zgjedhjet e zotit Xhafaj një fyerje kombëtare ndaj shtresës së të përndjekurve politikë.

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë i kërkon me këtë rast presidentit Nishani të mos e dekretojë zotin Xhafaj si ministër të Brendshëm për të ruajtur ekuilibrat e shoqërisë dhe unitetin e kombit, ndërsa vetë këtij të fundit të japë dorëheqje.