Transmetuar më 15-03-2017, 14:05

Tiranë, 15 mars 2017, NOA.al- Zjarri me përmasa të mëdha që përfshiu paraditen e sotme katin e nëndheshëm të Bibliotekës Kombëtare ka shkaktuar dëme të shumta në libra, por fatmirësisht pa prekur kopjet e rralla.

Drejtoresha e Bibliotekës, Persida Asllani tha sot për mediat se zjarri nuk ka prekur mjediset ku ruhen vlerat e rralla.

“Zbatuam protokollin zyrtar të Bibliotekës Kombëtare për raste të tilla, njoftuam zjarrfikësit, Plicinë e Shtetit, emergjencat dhe urgjencën. Shërbimi zjarrfikës u paraqit me shpejtësi dhe punoi për vënien në kontroll sa më të shpejtë. Theksoj se nuk janë prekur mjediset ku ruhen vlerat e rralla dhe Arkivi shqip dhe as baza elektronike e të dhënave. Është ende herët për dëmet eventuale, sa të krijohet mundësia do t’ua komunikojmë”, u shpreh ajo.

Lidhur me librat e djegur, saktësoi se janë libra që huazohen shpesh nga lexuesi dhe janë të rikuperueshme, kryesisht librat pas viteve ‘90. Nga të dhënat paraprake dyshohet se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike./a.y/noa.al