Transmetuar më 15-03-2017, 12:00

Tiranë, 15 mars 2017, NOA.al- Bashkia e Tiranës ka hapur qendrën e re të shërbimeve për Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, sipas modelit one-stop-shop, me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj klientit.

Në përurimin e qendrës së parë të shërbimit one-stop-shop të UKT në njësinë Nr. 2, ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Redi Molla.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh entuziast për këtë projekt të ri të Bashkisë së Tiranës, i cili do të përmirësojë më tej shërbimin ndaj qytetarëve.

“Është një risi fantastike sepse e afron shërbimin e Ujësjellësit tek qytetarët. Jemi ndoshta i vetmi popull që futemi në radhë dhe shtyhemi që t’i paguajmë shtetit atë që i detyrohemi dhe më në fund sot i kthejmë dinjitetin këtij shërbimi, kemi një shërbim shumë dinjitoz, shumë i ngjashëm me një bankë apo kompani celulare”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë garantoi se shumë shpejt qendrat e reja të shërbimit ndaj qytetarëve do të shtrihen në të gjitha njësitë e kryeqytetit.

“Fluksi i qytetarëve që paraqitej në drejtorinë qendrore do të pjesëtohet me 11, çka do të sjellë më pak radhë, por edhe një shërbim shumë më dinjitoz”, tha ai.

Veliaj falenderoi qytetarët për ndërgjegjësimin për lidhjen e kontratave të reja me Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, e cila do të pasohet edhe me rritje të investimeve.

Kryebashkiaku deklaroi se qytetarëve të Tiranës sot u ofrohet një shërbim më i lartë me një çmim më të ulët. Ai garantoi për rritjen e mëtejshme të investimeve dhe përmirësim të furnizimit me ujë të pijshëm.

“Ky ka qenë një vit fantastik për UKT, kemi hapur 105 kantiere pune. Sot jo vetëm kemi shtuar shërbimin e furnizimit me ujë në disa pjesë të Tiranës, por për 80 mijë banorë ky shërbim është 24 orë, kurse për rreth 880 mijë të tjerë ky shërbim është dyfishuar nga mesatarja 7 orë në ditë në 14 orë në ditë. E gjithë kjo ofrohet me çmimin më të ulët të ujit”, tha Veliaj, duke nënvizuar se Bashkia e Tiranës do të avancojë me shkëputjen përfundimtare të Ujësjellësit të Vorës dhe të Kamzës.

Kreu i Bashkisë kërkoi prej qytetarëve që për çdo problematikë në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm apo kur konstatojnë dëmtim të rrjetit të ujësjellësit, të telefonojnë në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 4488 ose tek aplikacioni “Tirana Ime”.