Transmetuar më 15-03-2017, 11:05

Stina e pranverës njofton jo vetëm ngrohjen e motit, por më shumë se kaq problematikën që ajo mbart me vete. Për shkak të gjelbërimit dhe çeljes së luleve, poleni apo lënda në formë pluhuri që ato lëshojnë, ndikon për keq në organizmin e disa njerëzve.

Kjo situatë në personat të cilët vuajnë nga alergjitë e pranverës bëhet tejet shqetësuese. Kjo periudhë përkon me përqendrimin në ajër të substancave që krijojnë reaksion të dëmshëm te personat që vuajnë nga alergjitë.

Për të qenë më vigjilentë në këtë periudhë, ju ofrojmë disa zgjidhje se çfarë duhet të konsumojmë dhe si duhet ta përmirësojmë jetën tonë sociale sipas disa këshillave lehtësuese për të shmangur alergjitë.

1- Nëse vuani nga alergjitë e pranverës atëherë çdo mëngjes konsumoni esëll 2 gota lëng karote me mollë dhe selino.

2- Evitoni sa më shumë ushqimet e përpunuara të cilat kanë më shumë konservues. Gjithashtu evitoni ushqimet me yndyrë shtazore, trans yndyra (yndyra të rafinuara si margarina), të skuqura dhe sheqer, pasi do të ndikojnë në ngadalësimin e sistemit imunitar.

3- Ushtrimet aerobike, ndryshe kardiovaskulare me intensitet mesatar 3-4 herë në javë, përforcojnë sistemin kardiovaskular dhe ndihmojnë trupin të oksigjenohet më mirë nëpërmjet djersitjes.

4- Nëse vuani nga alergjitë e polenit, mos u ekspozoni në vende me lule. Bëni pastrim të plotë të hundës me ujë deti për të pastruar mukusin dhe për të lehtësuar frymëmarrjen.