Transmetuar më 14-03-2017, 08:44

Që në kohët antike, tempulli i 14 Marsit, festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit, veçanërisht në Tiranë. Zanafillën, “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.

Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por festa e verës, që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit.

Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone, si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, “goditen” ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Të parët tregojnë se një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit, herët në mëngjes, hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehronin portokallet dhe ullinjtë.

Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët, zakonisht, e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore. Në Elbasan festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë, elbasanllinjtë urojnë njëri-tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.

Policia e Elbasanit ka marrë masat

“Shërbimi i Policisë Rrugore do të bllokojë orët e para të mëngjesit gjithë bulevardin kryesor dhe rrugët hyrëse në të. Masat do të jenë të tilla që qytetarët apo përdoruesit e rrugës të na mirëkuptojnë lidhur me problemin e menaxhimit të trafikut që do bëhet nga shërbimet e Policisë Rrugore.”

Lëvizja apo parkimi i mjeteve nuk do të lejohet në këto akse rrugore:

1. Në orën 11:00 të datës 13.03.2017  do të bllokohet  lëvizja dhe qarkullimi i mjeteve nga “Kryqëzimi i Kristoforidhit” deri tek “1 Maji”.

2. Në orën 07:00 të datës 14.03.2017 deri në përfundim të aktivitetit të Karnavaleve do të  bllokohet lëvizja nga Stadiumi deri tek 1  Maji.

3. Nga Stadiumi deri tek  “Pallati  i Sportit”, nuk do të lejohen parkimet apo qëndrimet e  mjeteve.

Policia e Tiranës

Me rastin e Ditës së Verës, 14 Marsit, ditën e sotme disa rrugë në kryeqytet do të bllokohen. Policia e Tiranës bën me dije se për mbarëvajtjen e festimeve dhe shmangien e incidenteve të mundshme, do ketë bllokim rrugësh, si më poshtë:

Nga ora 22:00, e datës 13.03.2017, deri në orën 23:00 të datës 14.03.2017, do të bllokohen këto segmente rrugorë: -Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me Sheshin “Skënderbej” deri në kryqëzimin me bulevardin “Zhan D’Ark” -Rruga “Myslym Shyri”, nga kryqëzimi me Rrugën “Ibrahim Rugova” deri tek kryqëzimi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”,

-Nga ora 07:00, e datës 14.03.2017, deri në orën 24:00 të datës 14.03.2017, do të bllokohen këto segmente rrugorë: -Rruga “Hoxha Tahsim”, nga kryqëzimi me rrugën “Beqir Luga” deri tek Sheshi “Avni Rustemi” -Rruga “Luigj Gurakuqi”, nga Sheshi “Avni Rustemi” deri tek kryqëzimi me Rrugën e “Barikadave”

-Nga ora 10:00, e datës 14.03.2017, deri në orën 24:00 të datës 14.03.2017, do të bllokohen këto segmente rrugorë: -Sheshi “Nënë Tereza” -Rruga “Brigada e VIII”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Vaso Pasha” -Rruga “Pjetër Bogdani”, nga kryqëzimi me rrugën “Vaso Pasha” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Ibrahim Rugova”./b.l./noa.al/