Transmetuar më 13-03-2017, 12:13
Publicitet

Tiranë, 13 mars 2017, NOA.al- Banorët e Farkës dhe zonës së Kopshtit Zoologjik nuk do të udhëtojnë më me autobusë të vjetër dhe pa kushte.

Linja e re që përshkon segmentin Farkë- Sauk i Vjetër- Kopshti Zoologjik- Ish Stacioni i Trenit u inspektua nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili vlerësoi shërbimin e përmirësuar të transportit urban, si dhe faktin që banorët e Farkës mund të lëvizin më shpejt drejt qendrës së Tiranës.

Ai vlerësoi faktin se tashmë banorët e kësaj zone mund të udhëtojnë vetëm me një biletë, pa qenë e nevojshme të ndërrojnë autobusë.

Veliaj tha se kjo linjë e njeh abonenë, duke u mundësuar frekuentuesve të rregullt të transportit publik lehtësi edhe më të madhe financiare.

“Kemi mbajtur një premtim, kemi futur abonenë, kemi një çmim të njëjtë në të gjithë qytetin, edhe për linjën e Farkës, dhe mbi të gjitha sot kemi një kapacitet që është 3-fishuar, me 11 autobusë dhe me një frekuencë çdo 10 minuta, e cila do të priret të shkojë deri në çdo 5-6 minuta”, shtoi Veliaj.

Ai tha se brenda këtij viti edhe në këtë linjë do të futet në përdorim bileta elektronike, e cila gjithashtu do jetë një lehtësi edhe më e madhe për banorët që nuk do përballen më me praninë fizike të kontrollorëve të biletave.

Veliaj vuri në dukje punën e mirë që po bën Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit në kontrollin e shërbimit urban në qytet, ku falë monitorimit të vazhdueshëm kemi përmirësim të ndjeshëm.

Ai bëri të ditur se pavarësisht vështirësive që ka sjellë bllokimi prej disa ditësh i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, linjat që preken direkt nga kjo anomali kanë mundur ta kalojnë situatën dhe të shkojnë në stacione në kohën e duhur.

“Sigurisht, pasi të hapet Bulevardi, do të kemi akoma më shumë zhdërvjelltësi, sidomos në këtë linjë dhe linjën e Tiranës së Re, të cilat janë dy linjat që e vuajnë më shumë bllokimin. Ne do të rregullojmë ato që kemi në dorë të rregullojmë, kurse ato që nuk i kemi në dorë, shpresoj që arsyeja të triumfojë dhe qyteti të lejohet të jetojë lirshëm”, u shpreh Veliaj.

Linja “Farkë- Sauk i Vjetër- Kopshti Zoologjik- Ish Stacioni i Trenit” është një linjë e re, një pjesë e së cilës më parë ka qenë e mbuluar me shërbim transporti nga ish Komuna Farkë. Tashmë ajo i mundëson kësaj zone një linjë qyteti dhe aksesin në qendër deri tek ish Stacioni i Trenit. Kjo linjë krijon akses dhe ndërlidhje me linja të tjera të qytetit, deri në zonën e Unazës/Stacioni i Trenit. Udhëtarët e kësaj linje do të përfitojnë nga përdorimi i abonesë, ndërsa ajo përshkohet nga 11 mjete me kushte komode.