Transmetuar më 13-03-2017, 08:39

Ballakume është ëmbëlsirë tipike e Elbasanit që bëhet për Ditën e Verës, 14 Mars, tashmë festë kombëtare. Kjo lloj ëmbëlsire bëhet me pak përbërës, me bazë miellin e misrit. Ka një formulë të veçantë gatimi që njihet vetëm nga elbasanllinjtë vendas.

Ballakumja gatuhej në një enë të madhe bakri, rrihej fort me dorë me një lugë druri dhe piqej në furrë druri. Receta origjinale përmban edhe përdorimin e ujit të finjës (në ujë të pastër hidhet hi zjarri, lihet disa minuta në qetësi e më pas e kullojmë). Por në pamundësi të hirit mund të shtojmë pak qumësht. Sot, në vija të përgjithshme ballakumja përgatitet në mënyrën që vijon.

Përbërësit: 1 kg miell mistri, 500 gram gjalpë, 8 kokrra vezë dhe 500 gram sheqer pluhur.

Përgatitja: Në një enë të madhe hedhim gjalpin e prerë në copa, hedhim dhe sheqerin dhe i rrahim fort derisa të na krijohet një shkumë. Më pas shtojmë vezët një nga një, duke vazhduar ti rrahim.

Në fund, me kujdes hedhim miellin e misrit. E trazojmë mirë në mënyrë që të mos na krijohen kokrriza. Në qoftë se përbërja është shumë e qullët mund t’i shtojmë edhe pak miell gruri.

Masën e përgatitur e lëmë të qetësohet për 20 minuta. Më pas me lugë druri hedhim në tepsi brumin në formë topash të vegjël. Tepsinë e pjekim në furrë 170 gradë C përreth 40-45 minuta. Ballakumet i shërbejmë në formën e kulaçave.