Transmetuar më 12-03-2017, 13:39

Tiranë, 12 mars 2017, NOA.al- Pazari i Ri është gati të hapë dyert në Ditën e Verës, për të pritur 308 tregtarë që do të punësohen aty gjatë orëve të paradites, por edhe mijëra qytetarë që do duan të kalojnë orët e pasdites për të shijuar ushqimet dhe produktet vendase.

Pazari i Ri u inspektua sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi punën e kryer dhe realizimin e projektit, i cili do t’i shërbejë gjithë Tiranës si një qendër e re tregtare, por edhe turistike e argëtimi.

“Siç thotë ajo shprehja: duhet një fshat për të rritur një fëmijë, kurse për të lindur një projekt duhet bashkëpunim i jashtëzakonshëm. Nuk besoj se ka një histori suksesi në Shqipëri ku një fondacion perëndimor si AADF, së bashku me një autoritet vendor, me një kontraktor dhe dhjetëra nënkontraktorë, me qindra familje dhe banorë, të kenë gjetur gjuhën për këtë bashkëpunim. Do të thotë që kur ne shqiptarët vëmë mendjen e zemrën bashkë, mund të bëjmë gjëra të bukura dhe nuk qenka mision i pamundur të gjejmë gjuhën për gjëra të bukura”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai shtoi se në realizimin e këtij projekti janë ruajtur karakteristikat e Tiranës së vjetër, të cilat janë ndërthurur me modernen, çka e shndërron Pazarin e Ri në një qendër që duhet vizituar. “Nga dita e martë, Tirana do të ketë një qytet të vjetër, një lagje historike, siç e ka çdo qytet tjetër, që përtej modernizimit dhe zhvillimit urban galopant që ka pësuar në vitet 90, të ketë mundësi që në zemër të qytetit të vet, në zemër të Tiranës, të ruajë atë që quhet pjesa historike, pjesa e vjetër”, shtoi kryetari i bashkisë.

Veliaj tha se Pazari është dhurata më e mirë që Bashkia e Tiranës i bën gjithë qytetarëve në Ditën e Verës, ndaj i ka ftuar ata që ta shndërrojnë përurimin e këtij projekti në një festë të vërtetë.

“Pasnesër duam të ftojmë të gjithë qytetarët të na bashkohen, është Dita e Verës dhe një mënyrë më e mirë për të festuar Ditën e Verës se sa në një vend ku do të shiten produkte lokale, ku do të punësohen njerëz të këtij qyteti, ku do të përjetësohet trashëgimia kulturore e urbanistike e Tiranës, nuk ka, ndaj dhe besoj që qytetarët do të jetë të shumtë. Ne do të fillojmë aktivitetet që në mëngjes, do të vijojmë pastaj në Bulevard, por besoj se “xhevahiri” i Ditës së Verës do jetë hapja e Pazarit të Ri”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se falë këtij investimi është bërë e mundur punësimi i 308 tregtarëve që do të kenë hapësirën e vet të tregtimit të fruta-perimeve, por edhe të mishit e nënprodukteve të tij dhe të një numri tjetër akoma të madh që lidhet me shërbimet e furnizimit dhe mirëmbajtjes së pazarit.

“Ne kemi llogaritur që në 308 biznese, nga 3-4 vetë që punojnë për secilin biznes apo zinxhiri ekonomik që kontribuon tek secili biznes, përkthehet në 1000 vende pune. Ndaj e marta është ditë pushimi për 1 milionë qytetarë të Tiranës që e kanë pushim Ditën e Verës, për 1000 të tjerë është dita e parë e punës sepse ekonomia që gjenerohet, jo vetëm te tezgat, te Pazari i mishit e peshkut, jo vetëm te dyqanet dhe artizanët rreth e rrotull, jo vetëm në zinxhirin që mbështet këto dyqane, është i jashtëzakonshëm”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se investime të tilla kanë një impakt direkt në ekonominë e qytetit, pasi përveç punësimit direkt të tregtarëve sjell dhe një mundësi më shumë për shitjen e produkteve lokale.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se përveç ndërtimit të zonës tregtare dhe asaj që do të shërbejë edhe për të kaluar kohën e lirë, falë këtij investimi është bërë e mundur edhe ndërhyrja në te gjitha dyqanet dhe pallatet e zonës, çka ka sjellë një rritje të ndjeshme të çmimit të pronës për qytetarët.