Transmetuar më 12-03-2017, 09:57
Publicitet

Tiranë, 12 mars 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ishte në Spitalin e Traumës, për të parë ecurinë e projektit pas ndërhyrjes për rikonstruksionin e tij.

Aktualisht po kryhet rikonstruksioni në themel i të gjithë reparteve, shërbimit të urgjencës, imazherisë, bllokut operator, reanimacionit, fizioterapisë. Pjesë e projektit është krijimi i recepsionit dhe ambienteve pritëse për familjarët. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja tha në vizitën e djeshme se janë gati edhe pajisjet biomedikale dhe të mobilimit.

“Këtu po bëhemi gati ta ndryshojmë komplet shërbimin e fizioterapisë në spitalin e traumës. Në mjediset e farmacisë se vjetër do të bëjmë mjediset e recepsionit dhe sallën e ndenjës së familjarëve, që deri tani rrinë në dhomat e të sëmurëve. Këto kanë qenë mjediset ekzistuese, por praktikisht dyshemeja, ventilimi, aspirimi, të gjithë janë të reja. Ka një sistem të ri te veçantë që është tavanor, në mënyrë që të përdorim teknologjinë të re për të administruar çdo të sëmurë që është në reanimacion. Të gjitha pajisjet janë të reja dhe jemi dhe në fazën e fillimit të instalimit të pajisjeve biomedikale”, u shpreh ministri.

Ai shtoi se në këto punime janë investuar më shumë se 8 miliardë lekë dhe në ditët e para të majit gjithçka do të jetë funksionale.

Ky investim transformon tërësisht shërbimin e fizioterapisë, jo vetëm në ambiente, por edhe në shërbimin e ofruar, të cilin Kryeministri e konsideroi shembull kuptimplotë të rezultateve të reformës.

Sipas tij, një nga simbolet e rrënimit të shëndetësisë, spitali që u bë sallatë 20 e ca vjet dhe ky transformim hap një kapitull komplet të ri, rilind spitalin e traumës, duke krijuar kushte komplet të tjera dhe duke dhënë një shembull shumë kuptimplotë të rezultateve të reformës, edhe për sa i përket financimit.

“Do ketë edhe një vlerë të madhe për të motivuar ekipin mjekësor, infermierët, ranimatorët, fizioterapistët që deri dje ishin komplet në mëshirë të fatit. Kjo periudhë ka qenë pak a shumë stabilizim i një situate të vështirë , sepse me atë infrastrukturë të shkatërruar nga të gjitha anët, por tani që vihet e gjithë infrastruktura dhe logjistika e re, me të gjithë aparaturat e reja, është komplet botë tjetër”, tha kreu i qeverisë./a.y/noa.al 

Loading...