Emri i piktorit Shyqyri Sako tashmë lidhet me 40 a më shumë filma shqoptarë, mes të cilëve “Toka jonë”. Piktori tregon si realizoheshin interieret dhe veshjet e personazheve, cilët ishin aktorët më të vështirë etj., si edhe si u zbulua në sheshxhirimin e atëhershëm, dashuria mes aktores së re Roza Xhuxha dhe operatorit të atëhershëm Dhimitër Anagnosti.
Shyqyri Sako tregon për Panorama: “Më kujtohet që për fustanin e Roza Anagnostit (tek Toka jonë”) shkoi gjithçka shumë mirë, por asaj i humbi shamia. Ishte një copë mjaft e veçantë që nuk mund ta gjeja më. Sigurisht që filmi ishte bardhezi, por më duhej përbërja e copës të ishte ajo. Mirëpo Roza në atë kohë sapo kishte filluar të takohej fshehtas me Dhimitrin dhe andej nga shkonin i kishte humbur shamia. Kishte filluar të binte erë kjo gjë. SShkova te Dhimitri, i thashë më gjej shaminë ku e keni lënë se nuk kam si ta zëvendësoj. Mirëpo nuk e gjetëm dot dhe e zëvendësova me diçka tjetër.
Më vonë, kur u kthyem në Tiranë u bë publike, por atje u kuptua thuajse nga të gjithë. Dhimitri ishte operator dhe për një skenë fare të vogël shtyu xhirimet. Duke shtyrë xhirimet, kishte mundësi të rrinte ca netë më shumë në hotel. Mirëpo ne donim të ktheheshim në shtëpinë tona. Ai këmbëngulte, nuk xhironte skenën, sepse s’kishte diell mjaftueshëm. Ai nuk donte diellin, donte hënën, po ne si të bënim?! Përtej shakave, skenari e kishte vërtet një sekuencë të tillë dhe ajo që kërkonte Dhimitri ishte e drejtë, por ishte një skenë shumë e vogël që na linte të gjithëve aty për të pritur diellin… si përfundim, ashtu u bë, u shtynë xhirimet derisa doli dielli”.