Transmetuar më 11-03-2017, 13:56

Liqeni i Farkës po kthehet në një zgjedhje e bukur për të gjithë ata qytetarë që duan ta kalojnë kohën e lirë dhe fundjavën larg zhurmës së qytetit, në një mjedis që ofron qetësi, por edhe ajër të pastër. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se Parku i Liqenit të Farkës po bëhet vendi i dytë më tërheqës, pas atij të Liqenit të Tiranës.

“Teksa qytetarët shijojnë Parkun e Liqenit të Tiranës, kemi filluar një punë intensive në parqet e tjera që rrethojnë kryeqytetin. Jemi duke punuar në Parkun e Farkës, po mbjellim 2 mijë pemë, çka do ta bëjë këtë hapësirë vendin më tërheqës pas Parkut të Liqenit të Tiranës. Po ashtu, do të jetë një valvul shkarkimi për njësitë 1 dhe 2, për njësinë e Farkës dhe zonën rurale të Tiranës, nga Petrela, Mulleti e Bërzhita”, tha Veliaj.

Ai shtoi se përveç mbjelljeve që po bëhen në parkun e Liqenit të Farkës, po punohet paralelisht edhe në disa pjesë të tjera të asaj që në Planin e Përgjithshëm Vendor njihet si Pylli Orbital, ndërsa ka ftuar qytetarët që të kontribuojnë në këtë drejtim.

Kryebashkiaku tha se një pjesë e përfaqësive diplomatike dhe donatorë të tjerë vendas i janë bashkuar thirrjeve të bashkisë, duke kontribuar në blerjen e fidanëve që do të bëhen pjesë e projektit për mbjelljen e 2 milionë pemëve deri në vitin 2030.

“Tashmë, Pylli Orbital ka donatorët e parë, disa ambasada të huaja e biznese vendase. Dua t’i falenderoj publikisht për ndihmën. Kemi disa mijëra pemë gati për mbjellje në të gjithë perimetrin e Pyllit Orbital dhe mezi pres që në sezonin e ardhshëm të kemi akoma më shumë gjelbërim për qytetin e Tiranës”, theksoi kryetari Veliaj.

Një rol tepër të rëndësishëm në realizimin e këtij projekti do të ketë edhe ecuria e projektit të parkimit me SMS, pasi çdo qindarkë e ardhur nga parkimi me pagesë do shkojë për të blerë fidanë të rinj./b.l/noa.al/