Transmetuar më 10-03-2017, 13:38

Tiranë, 10 mars 2017, NOA.al- Javën tjetër hapet Pazari i Ri në Tiranë. Është kjo deklarata e bërë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha sot se pas çerdheve dhe kopshteve të vijohet edhe me infrastrukturën e shkollave, ndërsa bëri të ditur se për pak ditë hapet edhe Pazari i Ri.

“Javën tjetër do të hapim Pazarin e Ri, një nga hapësirat urbane më me vlerë në Tiranë. Sipas të gjitha agjencive imobilare, rreth e rrotull Pazarit të Ri vlera e pronës është rritur deri në 40%-50%. Ndaj, besoj se po të vazhdojmë me këtë ritëm, edhe në lagje të tjera do të kemi rritje të vlerës së pronës”, u shpreh Veliaj.

Deklarata e tij u bë teksa Veliaj, mori pjesë në përurimin e ambienteve të reja të çerdhes nr 13, nga ku shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij projekti.

Ai tha se kjo është çerdhja e 36 që është rikonstruktuar apo që është rindërtuar nga e para. “Është një dhuratë për fëmijët e vegjël, por edhe për nënat që i sjellin fëmijët në këtë hapësirë moderne, tashmë tre herë më e madhe se më parë. Godina sot ka dy kate dhe u shërben 100 fëmijëve. Jam shumë i lumtur që në gjithë Tiranën kemi bërë 36 çerdhe të reja”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ky është një tjetër investim për të ardhmen, i cili garanton një qytet më të mirë nesër.

“Basti që kemi vënë për Tiranën fillon me çerdhet e kopshtet; nëse fëmijët rriten në çerdhe e kopshte të mira, nesër do të kemi qytetarë të dashur, të pastër, që respektojnë rregullat e qytetit. Unë dua që t’i uroj edukatoret dhe fëmijët ta gëzojnë çerdhen e re, me shpresën se këtu do rriten fëmijë të mirë dhe Shqipëria do jetë më e mirë”, tha Veliaj.