Transmetuar më 10-03-2017, 07:29

Një sulm me sëpatë në një stacion në Gjermani, shkaktoi 9 të plagosur. Një 36- vjeçar me probleme psikike, me origjinë nga ish- Jugosllavia dhe me banim në perëndim të Gjermanisë, sulmoi mbrëmjen e djeshme, e enjte, me një sëpatë, një grup personash në një stacion treni në Duesseldorf.

Nga të plagosurit, pesë janë gra, katër prej të cilave në gjendje kritike. I plagosur mbeti edhe agresori.

Ndërkohë nga hetimet e para policia gjermane përjashton hipotezën e terrorizmit, ndërsa motivi i ngjarjes, është ende i paqartë për hetuesit.

Agresori sulmoi sapo mbërriti treni, duke bërë një masakër të vërtetë.

“Është një goditje e rëndë për Duesseldorf. Dëshmitarët e agresionit janë nën shok. Jam këtu për të falënderuar policinë që lokalizoi gjithçka. Mendimet e mia janë për të afërmit e të plagosurve”, tha kryebashkiaku i qytetit të Nordreno-Westfalia, Thomas Geisel, i cili mbërriti në stacion pak pas ngjarjes./a.y/noa.al