Transmetuar më 09-03-2017, 11:03

Procesi i larjes dhe pastrimit të frutave dhe perimeve që konsumojnë është po aq i rëndësishëm sa vlerat ushqimore dhe shëndetësore të tyre, sidomos në kohët e sotme kur pesticidet dhe kimikatet e përdorura janë shqetësuese. Disa mund të jenë të mendimit që një frut apo perime e palarë nuk të shkakton ndonjë dëm të madh. E vërteta është që dheu ku janë rritur frutat dhe perimet kanë baktere pafund që mund të shkaktojnë probleme të mëdha që nuk zgjidhen me një të qëruar të lëkurës. 

Ndonjëherë njerëzit mjaftohen me heqjen e lëkurës së frutave dhe perimeve duke anashkaluar faktin që shumë prej vlerave, vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve gjenden pikërisht tek lëkura. Por kjo nuk vlen për të gjitha frutat dhe perimet. Nëse heq lëkurën e domates nuk rrezikon të humbasësh vlerat e saj. Nëse qëron mollën nuk do të marrësh dozën e duhur të pektinës, një fibër e tretshme që rregullon dhe ul kolesterolin e keq dhe sheqerin në gjak. Pektina gjithashtu ndihmon proçesin e tretjes dhe të mban të ngopur për më gjatë.

Trangujt e freskët

Edhe nëse është turshi, është i shkëlqyer për forcimin imunitar, për shkak se përmban antioksidantë dhe fibra, të cilat parandalojnë kapsllëkun.

Karrotat

Pjesa e poshtme e lëkurës së karrotës është e pasur me disa elementë anti bakterialë dhe anti inflamatorë që sipas shkencëtarëve janë të rëndësishëm në betejën kundër kancerit. Ndaj nëse nuk ke zgjedhje tjetër, sugjerohet që karrota të konsumohet me gjithë lëkurë, ose të qërosh vetëm një cipe të hollë të saj. 

Kastraveci

Nëse heq lëkurën e kastravecit do të marrësh më pak kalcium, magnez, fosfor, potas, vitaminë A dhe K se sa në rast se konsumon kastravec me gjithë lëkurë. Pjesa e brendshme e kastravecit është shumica ujë, ndërsa në lëkurë gjendet shumica e fibrave.

Patëllxhani

Lëkura e patëllxhanit është e mbushur me antioksidantë, sidomos me një element të njohur si nasunin. Një eksperiment mbi kafshët ka treguar që ky antioksidant është i rëndësishëm për ruajtjen e qelizave të trurit të shëndetshme. Nasunin është pjesë e një familje të madhe antioksidantësh të njohur si flavonoidë. Sa më shumë flavonoidë të konsumosh aq më të ulëta janë gjasat që të shtosh peshë.