Transmetuar më 09-03-2017, 09:59

Në linjë të njëjtë me VMRO-DPMNE-në është edhe kryeministri teknik Emil Dimitriev, sipas të cilit zgjedhjet e parakohshme parlamentare së bashku me ato lokalet janë dalja nga kriza politike në vend.

Garancia e vetme për ruajtjen e unitetit të Maqedonisë është formimi dhe zhvillimi i shoqërisë civile dhe multietnike, vlerëson Dimitriev.

“Mënyra sesi duan disa t’i bëjnë gjërat në Maqedoni, duke përjashtuar shumicën etnike maqedonase, turqit etnikë, romët, vllehët, boshnjakët etj., nuk arrihet dot. Përpos kësaj, debatet që hyjnë thellë në Kushtetutën e vendit u çelën në periudhën post-elektorale dhe nuk ishin pjesë e diskutimeve përpara zgjedhjeve.

Besoj se këto subjekte nuk duhet të jenë privilegj i elitave politike, por i njerëzve të thjeshtë, të cilët ta thonë fjalën e tyre në zgjedhjet e reja të përgjithshme, krahas atyre lokale”, ishte komenti i Dimitrievit.