Transmetuar më 08-03-2017, 13:06

Presidenti Bujar Nishani, me ftesë të Kryetarëve të Komunave të Bujanocit dhe të Preshevës mori pjesë në festimet e organizuara nga këto komuna me rastin e 130-vjetorit të hapjes së mësonjëtores së parë shqipe dhe të Ditës së Mësuesit.

Presidenti Nishani e filloi vizitën e tij në qytetin e Bujanocit, ku u takua me përfaqësësues të pushtetit vendor të këtij qyteti. Në të gjitha këto takime Presidenti Nishani u njoh drejpërdrejti me shqetësimet e popullsisë shqiptare të këtyre komunave, të cilat fokusoheshin në realizimin e të drejtave të tyre më themelore të studimit të nxënësve në gjuhën shqipe, si dhe mungesën e mbështetjes ekonomike për këto komuna. 

Presidenti Nishani evidentoi vëmendjen që i kushton këtyre shqetësimeve, si dhe i siguroi bashkëbiseduesit se do të vijonte të mbështeste dhe nxiste projektet e përbashkëta mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Serbisë për adresimin e çështjes së pajisjes me tekste dhe mjete mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të këtyre komunave në Luginën e Preshevës.

Gjithashtu, Presidenti Nishani theksoi se “është përgjegjësi e shtetit shqiptar që të vijojë me një platformë dhe agjendë konkrete të mbështesë kërkesat tuaja, si dhe të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet serbe që zgjidhjet të jetësohen në legjislacionin e Serbisë”.

Me rastin e 130-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe dhe Ditës së Mësuesit, Presidenti Nishani vizitoi shkollën fillore të fshatit Tërnoc me shumicë shqiptare, si dhe përshëndeti në aktivitete të veçanta, të zhvilluara me këtë rast në Komunat Bujanoc dhe Preshevë.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria dhe institucionet e saj respektojnë në mënyrë thelbësore parimin e bashkëjetesës dhe të respektit të ndërsjellë mes popujve të ndryshëm të rajonit të Ballkanit dhe nuk kërkojnë as më shumë e as më pas këtë respekt edhe për shqiptarët kudo që ata jetojnë. “Respektimi i tyre do të jetë një mesazh i qartë jo vetëm për marrëdhëniet e mira mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe për të gjitha kombet që jetojnë në rajonin e trazuar të Ballkanit”.

 Nishani bëri thirrje gjithashtu për të parë nga e ardhmja euroatlantike dhe jo kthimi pas në të shkuarën konfliktuale, duke theksuar se rruga e bashkimit kombëtar ëshët në Bashkimin Evropian. “Të gjithë së bashku duhet të bëjmë më shumë, si për vatrat tona, ashtu edhe për të ardhmen e paqtë e bashkëpunuese të rajonit. Duhet të vijojmë të kontribuojmë për ndërtimin e një fqinjësie të mirë, bazuar në mirëkuptimin dhe respektin reciprok” – u shpreh Nishani.

 Vizita historike, e para e këtij niveli nga një President i Republikës së Shqipërisë në Komunat e Bujanocit dhe të Preshevës u përcoll me shumë hare e dashuri nga popullsia shqiptare e këtyre komunave, si dhe u shpreh me fjalë prekëse nga drejtuesit e këtyre komunave, si dhe në programet artistike të organizuara enkas për vizitën e Nishanit.