Transmetuar më 08-03-2017, 11:58

Bashkia e Tiranës angazhohet që të hartojë dhe miratojë “Planin e Veprimit për Barazi” dhe ta zbatojë atë në vazhdimësi duke raportuar rregullisht për ecurinë e këtij plani dhe në të njëjtën kohë, bashkia angazhohet të bashkëpunojë me qeveritë lokale dhe rajonale në Europë.

Në një aktivitet të mbajtur ditën e sotme me rastin e 8 Marsit, kryebashkiaku Erion Veliaj uroi të gjithë vajzat dhe gratë me rastin e 8 Marsit.

“Jam i lumtur për të gjithë zonjat që janë sot. Çmoj shumë punën tuaj edhe uroj që me të njëjtin zell që kemi pasur këtë kohë, të ecim edhe në vazhdim. Beteja e vërtetë nuk është në 8 Mars, beteja e vërtetë fillon nesër, kur nuk është festë, kur nuk ka trëndafila, por beteja për emancipim bëhet akoma më serioze”, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës do të bëjë gjithçka që është e mundur për përmirësimin e statusit të gruas në shoqëri dhe për zhdukjen e pabarazisë.

Ai shtoi se do të merret çdo vendim i nevojshëm për t’u siguruar për zgjidhjen e këtyre problematikave.

“Çdo financë që kemi mundësi ta dedikojmë, çdo vendimmarrje që duhet të marrim në këshill bashkiak, që të sigurohemi që kjo çështje ecën përpara”, tha Veliaj duke shtuar se ka ende shumë sfida përpara.

Kreu i Bashkisë njoftoi dhe nisjen muajin tjetër të procedurave për kreditë e buta për të gjitha ato familje në nevojë.

“Ne do të fillojmë nga muaji tjetër do të hapim të gjithë procedurat për kreditë e buta. Momentalisht këshilli bashkiak sapo ka marrë një vendim i cili është zbardhur për rreth 1 mijë kredi të buta. Besoj se paqja mendore e një gruaje që është në shtëpi të vet dhe që s’duhet të mendojë se kur do të zërë rrënjë ajo familje, është e pakrahasueshme me ato para që ne kemi vënë mënjanë për çështjen e kredive të buta”, u shpreh Veliaj.

Aktiviteti u bë pasi Bashkia e Tiranës angazhohet zyrtarisht për respektimin e parimit të barazisë me qëllim arritjen e një jete më të mirë për të gjithë banorët pavarësisht gjinisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, David Saunders, firmosën Kartën Evropiane pёr Barazi të grave dhe burrave nё jetёn vendore.