Transmetuar më 07-03-2017, 15:57

Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, ka zgjedhur shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi” për të uruar mësuesit me rastin e ditës së 7 marsit. Ajo u ka dhuruar buqeta me lule mësuesve të kësaj shkolle, duke i përcjellë atyre urimet përzemërta në këtë ditë të veçantë.

Malaj uroji të gjithë mësuesit për punën e përkushtuar që ato bëjnë në arsimimin e brezave, por duke shtuar se ka ende shumë punë për të bërë për të përmirësuar edhe më shumë procesin mësimdhëns nëpër shkollat e vendit.

“Sot është një nga ditët më të bukura që iu dedikohet jo vetëm mësuesve por të gjithë popullit shqiptar, sepse është populli më arsimdashës, të gjithë prindërve shqiptar të cilët investojnë shumë për fëmijët, por mbi të gjitha kryefjala më e madhe është e mësuesve të cilët në misionin e tyre të palodhur, në të përditshmen e tyre punojnë fortë që të edukojnë mendjen e të rinjve, të edukojnë shpirtin e fëmijëve. Janë mundësi dhe garanci një jete më të bukur dhe t’i japin krah ëndrrave të të rinjve. Jam shumë e lumtur që jam tek “Petro Nini Luarasi” dhe që ndaj këtë urim për të gjithë mësuesit shqiptar sot këtu”, tha Malaj.

Më tej ajo theksoi se ndjen përgjegjësi shumë të madhe dhe bën një vlerësim aktual për situatën ku jemi duke u shprehur se gjithmonë në sistemin e arsimit ka vend për përmirësim.

“Ka vend për të dhënë më shumë për mësuesit tanë të cilët ata duhet të jenë nesër modeli më i mirë i të rinjve dhe i fëmijëve. Ka vend më shumë për të ndërtuar shkolla me cilësi dhe standard më të lartë. Ka vend më shumë për ta bërë shoqërinë tonë më të garantuar. Për një gjë unë jam krenare, në 30 vitet e mija në arsim, që nëse do të investosh me dashuri tek të rinjtë, nëse do të investosh me dashuri tek populli jot, kryefjala duhet të jetë arsimi.

Ajo është fillimi i një pune të suksesshme. Ajo është garancia e një edukimi të mirë, garancia për të krijuar qytetar të mirë, të Evropës së lirë dhe të botës së kulturuar. Besoj dhe urojë shumë që të gjithë sëbashku të japin kontribute për arsimin, pasi arsimi është domeni i të gjithë shqiptarëve. Gëzuar festën të dashur mësues”,- theksoi Nora Malaj./b.l/noa.al/