Transmetuar më 06-03-2017, 15:13

Edhe gjatë ditës së nesërme, moti do të mbetet i paqëndrueshëm duke bërë që vranësirat dhe shirat të jenë dominant por herë pas here do të kemi edhe intervale të shkurta me kthjellime.

Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me vranësira dhe shira në dy ekstremet verior dhe jugor duke lënë me kthjellime dhe vranësira të shpeshta zonat qendrore të vendit. Parashikohet që në orët e vona të natës të ketë përmirësim të kushteve atmosferike duke bërë që kthjellimet të jenë prezent në të gjithë territorin.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në orët e mëngjesit por mesdita nuk do të ketë shumë ndryshim të tyre. Era do të fryjë mesatare në tokë dhe në det me shpejtësi 30 km/h nga drejtimi jugperëndimor ndërsa në det do të gjenerohet dallgëzim 2- 3 ballë.

Europa

Vendet e Europës qendrore do të mbeten me vranësira dhe shira të dobët e të përkohshëm. Po ashtu, vranësirat dhe shirat do të jenë prezent edhe për vendet e Ballkanit ku herë pas here do të ketë rrebeshe dhe breshër.

Ndërsa me reshje dëbore do të vijojë moti për Europën lindore – verilindore. Ndërsa pjesa tjetër e Europës do të jetë në dominimin e masave ajrore të qëndrueshme kontinentale duke bërë që moti i kthjellët do të jetë dominant./b.l/noa.al/