Transmetuar më 06-03-2017, 11:12
Publicitet

Transformimi i frikshëm i njeriut nga paraja dhe loja me vetë fatin e tij, vijnë në shfaqjen “Pushteti i karriges” që u ndoq nga artdashësit shqiptarë këtë fundjavë në Akademinë e Arteve në Tiranë.

"Pushteti i Karriges" dhe "Upside Doën", janë dy pjesë koreografike nën produksionin e artistes Rovena Dilo dhe koreografi nga Eltion Merja dhe Enson Mula.

Një shndërrim në lëvizje koreografike, të një debati shumëvjeçar filozofik që prek mbarë shoqërinë nëpër botë.

Koreografi dhe regjisori Eltion Merja thotë se pushteti ka forma të ndryshme për t’u shfaqur, por ajo më e prekshmja dhe më vizualja është pikërisht karrigia.

Ndaj ky objekt është edhe simboli frymëzues i koreografit Merja në pjesët e baletit “Pushteti i Karriges” dhe “Upside down”. Dy vepra ku veç koreografit kryesor Merja marrin pjesë edhe 8 balerinë të tjerë të cilët sillen rrotull “karriges së pushtetit”.

Producentja e shfaqjes është këngëtarja dhe publicistja e njohur Rovena Dilo. Ajo thotë se këto dy vepra janë demonstrim i zhvillimit të lojës së pushtetit nga karrigia tek endacaku që pushtetin e fiton nga dashuria që fal dhe jo nga paraja.

Janë dy pjesë të shkëputura nga njëra-tjetra, por të dyja flasin për një problematikë sociale.

Rovena Dilo detajon: “Është pushteti që e shndërron njeriun. Në njërën nga lojërat aktoriale përmes baletit, pushteti të merr jetën, ndërsa karrigia plot pushtet kërkon një tjetër kurban. Në historinë tjetër, pushteti bën një vend përkrah endacakut që nuk vlerësojmë kurrë”.

Merja, një ndër emrat më të njohur të balerinëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit shpjegon edhe më shumë për këto dy vepra që u ngjitën në skenën e Akademisë së Arteve: “Të dyja pjesët flasin për mënyrën se si sillet njeriu nën efektin e parasë në shoqërinë civile dhe pushteti që paraja ka tek njerëzit”.

Kurse shton: “Më pëlqen që krijimet e mia të jenë sa më afër publikut si nga ana koreografike dhe historia që përshkruhet. Më pëlqen që publiku ta kuptojë se çfarë do të përshkruajë secila lëvizje”.

Producentja Dilo, duke u ndalur te “Pushteti i karriges”, thekson se është një shfaqje mbi metamorfozën e individit drejt pushtetit, ku ky i fundit simbolizohet nga karrigia.