Transmetuar më 01-03-2017, 17:20

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, në konferencën për shtyp që mbajti sot tha se i ka kërkuar liderit te LSDM Zoran Zaev të hedhë poshtë dhe të mos pranojë platformën shqiptare si kusht për formimin e Qeverise së re.

Sipas Ivanov, bashkësia ndërkombëtare duhet të dënojë platformën shqiptare pasi rrezikon sipas tij sovranitetin maqedonas.

“Platforma është e përgatitur në vend të huaj dhe kjo është pengesë që të mos ia japë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev”, tha kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov, në konferencën për shtyp, shkruan Portalb.mk.

Ivanov thotë se me Platformën e Shqiptarëve, Maqedonia është shantazhuar dhe është peng i platformës së shtetit të huaj.

“Në vend që ta hedhin poshtë, disa menjëherë filluan që me atë të tregtojnë. Për të ardhmen e shtetit nuk mund të diskutohet. Pranimi i platformës së huaj është e dënueshme”, tha Ivanov, duke shtuar që “qytetarët le të flenë rehat pasi ai nuk do t’ia jap mandatin Zaevit”.

Ivanov njoftoi se shumica është arritur, por sipas ekspertëve juridik të rëndësishme janë afatet dhe të respektohet neni 90 i Kushtetutës, sipas tij, është e patjetërsueshme që pushteti të jete legal dhe legjitim.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, të hënën në kabinetin e shefit të shtetit i dorëzoi 67 nënshkrimet e deputetëve të cilët janë dëshmi se LSDM-ja ka siguruar shumicë në Kuvend në bazë të asaj dhe presidenti Gjorge Ivanov duhet t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë.

Nikolla Gruevski i cili ka diskutuar me Ahmetin, pas mosarritjes së një marrëveshje, tha se uniteti i shtetit ka rënë dhe se, siç tha, populli duhet të mbrohet. Tensionet politike përcillen edhe nëpër rrugë ku simpatizantë të VMRO-së do të protestojnë, kundër Platformës Shqiptare.