Transmetuar më 01-03-2017, 17:05
Publicitet

“Dialogu është i nevojshëm, por siç e shihni, Lulzim Basha preferon të flasë me vete e për veten”. Kështu i përgjigjet Edi Rama pyetjes nëse do të ishte i volitshëm një dialog apo takim jashtëparlamentar mes tij dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha.  Në intervistën e plotë për GSH.al, kreu i qeverisë flet edhe për ligjin e dekriminalizimit dhe rolin e Soros në Shqipëri.

“Mosmirënjohja e qenies pa memorie nuk ka brirë. E neveritshme”. Ky është një Edi Rama ‘i inatosur’ me ata që sipas tij, po kriminalizojnë Xhorxh Sorosin, një njeri që ka investuar në Shqipëri, pa kërkuar asnjë qindarkë mbrapsht. “Ata që e mallkojnë sot, përfituan para prej tij”, shton ai.

Kryeministri komentoi edhe koalicionin elektoral të 18 qershorit: Ai beson se aleanca me LSI do të vazhdojë edhe gjatë mandatit të dytë.

“Por, natyrisht respektojmë lirinë dhe të drejtën e partnerëve tanë për ta zgjedhur vetë momentin e afirmimit publik të vullnetit të tyre për të vazhduar rrugën e përbashkët, thotë Rama.

Në këtë intervistë, kreu i qeverisë flet edhe për zgjedhjet e presidentit të ardhshëm si dhe problemin e kultivimit të hashashit. Në fund të intervistës, Rama jep edhe një mendim për situatën në Maqedoni dhe koalicionin e ri Zaev-Ahmeti.

-Rama, prej më shumë se një jave, opozita është në një protestë të vazhdueshme para godinës së kryeministrisë me një grup kërkesash e cila kulmon me atë të një qeverie teknike. Kjo protestë shoqërohet me bojkotin e Kuvendit. A mendoni se do të ishte i volitshëm dialogu (p.sh një takim) ekstraparlamentar i Juaji me z. Basha, gjë që mund të rikthente PD në Kuvend e t’i hapte rrugën ‘vetting’-ut?

Dialogu është gjithnjë i nevojshëm dhe i mirëseardhur për sa më takon mua. Kur drejtoja opozitën e kam kërkuar shpesh, madje edhe me letra “lutëse” drejtuar kryeministrit të kohës, por pa sukses. Po natyrisht, dialogu kërkon dy palë që duan të flasin me njëra-tjetrën për rrugëzgjidhje të dakordësuara dhe siç e shihni Partia Demokratike e Lulzim Basha prej kohësh, me zë gjithnjë e më të lartë, preferojnë të flasin me vete e për veten.

-Ligji i dekriminalizimit u miratua me konsensus në Kuvend. 1 vit e ca më pas, a jeni të kënaqur me rezultatet? Ai i ka goditur ligji të inkriminuarit, a mund të bëhej më shumë apo është bërë më shumë se ç’duhet?  

Nuk më takon mua, as qeverisë e as popullit të zbatojë ligjin e dekriminalizimit. Kjo është një çështje e institucioneve që Kushtetuta dhe ligji ngarkojnë me mbikëqyrjen e ligjshmërisë e me zbatimin e këtij ligji rast pas rasti. Shumica parlamentare e ka mbështetur dhe votuar ligjin, megjithë rezervat për kushtetutshmërinë e një ligji të tillë që nuk e ka asnjë vend i botes. I kemi kapërcyer këto rezerva me vetëdijen se në këtë fazë të zhvillimit politik e demokratik të vendit, ka ardhur si domosdoshmëri vendosja e një kufiri të qartë për kandidueshmërinë e individëve në proceset politike apo në proceset e konkurrimit për shërbimin civil. Të tjerat janë propagandë politike dhe mediatike e zanatçinjve të baltës.

-Si do t’i përgjigjeshit opozitës që thotë se Edi Rama po liron kriminelët nga burgu dhe nuk ka veting me Frrokun e me Prengën?! 

Kjo është një tallje e madhe me njerëzit dhe jam i bindur se njerëzit e kuptojnë e do ta ndëshkojnë rëndë Partinë Demokratike, nëse Vetingu nuk do të zhbllokohet me kësi justifikimesh tallëse! Unë as nuk dënoj as nuk liroj njeri nga burgu, sepse nuk jam as prokuror as gjykatës. Nëse ka lirime abuzive nga burgu të individëve të caktuar, Vetingu është ilaçi edhe për këtë, sepse përmes vetingut gjykatësit do të filtrohen në sitën e pakalueshme të kontrollit të pasurisë, vendimmarrjeve dhe aftesisë së tyre profesionale. Të thuash s’ka veting me këtë e me atë, zëre se ke thënë: S’ka veting se kam hallin tim!

-Qindra shkrime, dhjetëra deklarata e disa emisione TV për atë që quhet “dora e Soros” në Shqipëri, të cilat kulmuan me qëndrimin e z.Berisha, i cili paralajmëroi Fleckenstein-in: Kujdes nga Soros! Sipas jush, e gjithë kjo është “një përrallë” siç tha vetë Fleckenstein apo “faktori Soros” përmes fondacionit të tij ka ndikuar pozitivisht në paketën e reformës për drejtësi?

Në dijeni time Fondacioni Soros ka kontribuar me një mbështetje financiare për mbarëvajtjen e punës së Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtesi. Kjo padyshim ka qenë diçka pozitive sepse ka lehtësuar disa shpenzime jo të vogla për ekspertizë. Ndërsa sa për “dorën e Sorosit” ndjej neveri kur shoh se si e kafshojne ata që deri dje e kane puthur jo një herë atë dore, Saliu in primis! Ajo dorë ka ndihmuar Shqipërinë e dalë nga diktatura qysh në hapat e para të lirisë; ka ndihmuar intelektualët, studentët, artistët, gazetarët, shkencëtaret, nëpunësit e rinj, qeveritë e këtij vendi njëra pas tjetrës. Pse?! Thjesht e vetëm në emer të idesë së Shoqerisë së Hapur, të cilën George Soros e ka qysh në rininë e tij qëllim të jetës dhe për të cilën ka derdhur një pjesë të mirë të pasurisë së tij në gropën e ish-Perandorise Komuniste. Vë bast se nuk ka një person të vetëm publik nga ata që e mallkojnë sot, që nuk ka përfituar mbështetje financiare nga Fondacioni Soros në 25 vjetët e veprimtarisë së fondacionit në Tiranë. Eshtë e neveritshme të shohesh se si një njeri që vetëm ka investuar paratë e tij në Shqipëri, për idenë që mbron prej një jetë, dhe që nuk ka kërkuar kurrë asnjë qindarkë mbrapsht nga ky vend, të kriminalizohet si të ishte një keqbërës i rëndomtë! Po s’ke ç’i bën, mosmirënjohja e qenies pa memorie nuk ka brirë!

-Është ende herët, por jo dhe aq e largët, dita kur Partia Socialiste do të regjistrohet me koalicionin e saj në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit. Besoni se në këtë koalicion do të jetë edhe LSI? A mund të themi që ka një ftesë publike nga ju, pra PS, për të konfirmuar aleancën edhe për 4 vite të tjera?

Ne nuk shohim asnjë arsye për ta bërë një ftesë të tillë për partnerët tanë në koalicion, sepse koalicioni është i tyre sa ç’është edhe i yni dhe për ne, nuk shtrohet fare si pyetje vazhdimësia e këtij koalicioni. Jo thjesht taktikisht, po strategjikisht. Jo thjesht për pushtetin, po për reformat për të bërë shtet. As për ne as për ta, po për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër! Por natyrisht respektojmë lirinë dhe të drejtën e partnerëve tanë për ta zgjedhur vetë momentin e afirmimit publik të vullnetit të tyre për të vazhduar rrugën e përbashkët.

-Ky Kuvend, do të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. A do t’i përkasë ky post Partisë Socialiste apo do të mirëprisni propozime nga partitë aleate, konkretisht LSI? A do të negocioni me PD për të patur një president konsensual apo e quani të tejkaluar këtë formulë?

Koalicioni do bëjë më të mirën për të zgjedhur një President që t’i rikthejë kuptimin kushtetues, dinjitetin qytetar, paanshmërinë politike, figurës së kreut të shtetit. Patjetër që do të mirëpresim çdo kontribut të opozitës në këtë proces të rëndësishëm, ku përpara aritmetikës së votave duhet të jetë përcaktuese fryma e Kushtetutës së Shqipërisë.

-Ambasadori i SHBA ka përmendur “peshq të mëdhenj”, kur ka folur për luftën kundër drogës në Shqipëri. Në fakt, nuk është sekret që ‘peshq të mëdhenj’ në rrjetën e drejtësisë nuk kanë rënë në 26 vite, as në fushën e drogës, as në atë të korrupsionit në nivele të larta.

Ambasadori Lu është një mik dhe mbështetës i zjarrtë i Shqipërisë, që e përfaqëson më së miri Presidentin e Shteteve te Bashkuara si një vend partner kryesor i vendit tonë, e i shqiptarëve në tërësi. Por ambasadori Lu është po ashtu një njeri si të gjithë ne, të cilin pasioni për një kauze të drejtë e çon ndonjëherë në eksese retorike, duke i futur peshqit e peshkatarët në një trastë! Padyshim që këto eksese nuk e bëjnë më pak të vyer kontributin e tij për të çuar përpara reformat, në veçanti Reformën në Drejtësi. Sidoqoftë ka vetëm një rrjetë që kap “peshq” në një vend demokratik dhe kjo është rrjeta e drejtësisë, të cilën në Shqipëri, prej 25 vjetësh, peshqit janë mësuar ta hanë sa herë ndeshen me të.

-A i konvenon, leverdis një qeverisjeje, të ketë një sistem drejtësie që e lejon të abuzojë me pushtetin duke pasur garancinë se s’do të ndëshkohet kurrë?

Nuk e kuptova pyetjen apo me saktë nuk më bëri sens pyetja, në ndërkohë që ne po luftojmë përditë për të kundërtën! Sepse kjo e jona nuk është qeverisje për zgjedhjet e radhës po për themelet e Shqipërisë së Gjeneratës Tjetër; Shqipëri me shtet funksional, me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social, me barazi të qytetarëve para ligjit. Prandaj edhe Reforma në Drejtësi është prioritet themelor për ne.

-Në Maqedoni, pritet formimi i qeverisë Zaev-Ahmeti. Mendoni se shqiptarët do të kenë më shumë të drejta se më parë?

Nuk e di. Kjo nuk varet nga pala maqedonase po nga mençuria, vendosmëria dhe uniteti i faktorit shqiptar në mbrojtjen e stabilitetit të Maqedonisë, përmes vendosjes në vend të dinjitetit të nëpërkëmbur të popullit shqiptar që jeton në shtetin fqinj, si një popullsi shtetformuese e cila pret prej vitesh zbatimin në frymë e në gërmë të Marrëveshjes së Ohrit.

Loading...