Transmetuar më 27-02-2017, 13:37

Nëse krahasohet me mënyrën e shpejtë se si u hoqën mandatet e deputetëve Tahiri dhe Selami, duket se për Armando Prengën rezistenca ishte shumë më e madhe.

Dhe në këtë pikë rasti i tij ngjan me atë të shumë të fortëve të tjerë të mbrojtur prej Ramës.

Nga Andi Bushati

Nuk e di nëse dorëzimi i mandatit nga Armando Prenga dhe letra e tij e dorëheqjes nga deputet mund të quhet një lajm i mirë.

Normalisht duhej të kish qenë kështu.

Të gjithë duhet të ndiheshin më të sigurtë dhe më të lehtësuar se më në fund ligji i dekriminalizimit po funksionon, se të fortët dhe të inkriminuarit po largohen nga alula më e rëndësishme e politikës shqiptare.

Në fakt, historia është pak më ndryshe.

Armando Prenga deputeti që kishte përdorur plot 10 emra të në të shkuarën e tij, që ishte implikuar në një përleshje me armë për lagunën e Patokut, që u bë sebep për fillesat e ligjit të dekriminalizimit pas sherrit të parë me Strazimirin, bëri shumë rezistencë përpara se të thoshte lamtumirë.

Ai futi për ditë të tëra në një përplasje të kotë, prokurorinë me KQZ, e detyroi kreun e kësaj të fundit ta amnistonte publikisht dhe mori të gjithë mbrojtjen e shumicës politike anëtarët e së cilës në Komisionin e zgjedhjeve votonin pro tij. Pas të gjithë kësaj Odiseje atij iu dha privilegji të largohej jo si pre e ligjit, por si familjar që mendon për qetësinë e të afërmve të tij.

Nëse krahasohet me mënyrën e shpejtë se si u hoqën mandatet e deputetëve Tahiri dhe Selami, duket se për Armando Prengën rezistenca ishte shumë më e madhe.

Dhe në këtë pikë rasti i tij ngjan me atë të shumë të fortëve të tjerë të mbrojtur prej Ramës.

Mark Frroku dihej publikisht që u kap nga policia me një trafikant droge në makinë, por ai jo vetëm që nuk u penalizua për këtë, por u favorizua edhe me fshehjen e dokumenteve të Interpolit në ministrinë e Brendshme.

Arben Ndoka megjithëse digjej nga të katër anët nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, pati privilegjin të largohej me dorëheqje dhe ai ruan ende një vend të rëndësishëm në PS e Lezhës.

Po ashtu edhe Elvis Roshi, që u bë simboli i betejës kundër të fortëve në politikë, që u mbrojt disa herë publikisht nga Rama, që u bë gazi i botës me largimet që u pasuan prej dorëheqjeve nga dorëheqja, vazhdon të drejtojë ende dhe sot bashkinë e Kavajës dhe të përkëdhelet nga eksponentët më të lartë të Rilindjes.

Edhe rasti i Armando Prengës nuk bën përjashtim nga ai i kolegëve të tij.

Ata konvergojnë në një pikë.

Megjithëse PS-ja u detyrua ta votojë dekriminalizmimin, Edi Rama nuk e pranoi kurrë politikisht atë. E gjithë përpjekja e tij pas hyrjes në fuqi të ligjit ka qenë që t’i tregojë të fortëve të vet se ai nuk do ti shesë asnjëherë. T’I japë zemër atyre se ata janë prapë me të dhe do të jenë të dobishëm që gjatë këtij qershori.

Kështu u veprua edhe me Armando Prengën.

Megjithëse e dinte se atë nuk kishte zot që e shpëtonte Rama urdhëroi një institucion ligjërisht të pavarur si KQZ, që të njollosej politikisht vetëm që të jepte mesazhin e qartë se lëkura e tij nuk do të shitej lirë.

Prandaj dhe ikja e deputetit të Lezhës nuk është një ogur i mirë. Pavarësisht se nuk do të jetë më në parlament. Pavarësisht se në sallën e kuvendit do të jetë një emërshumtë më pak, largimi i Prengës nuk ka asnjë premisë për të të bërë entuziast. Sepse në thelb ai vërtetoi edhe njëherë se kryeministri po ndahet nga të fortët e vet, vetëm legalisht, ndërkohë që ai po jep të gjitha sinjalet se është me ta me shpirt dhe me zemër. Se ai e votoi dekriminalizimin sa për t’i hedhur hi syve ndërkombëtarëve, por në fakt atë nuk e ndan asgjë nga lidhja fatale që ka me çdo Preng që e mban peng./lapsi.al

Armando Prenga dorëzon mandatin e deputetit, letra që i shkroi Metës