Transmetuar më 27-02-2017, 10:22

Deputeti i PS-së Armando Prenga dorëzon mandatin e deputetit, ndërkohë mesditën e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte njoftuar për një mbledhje për të diskutuar për mandatin e tij.

Legjitimiteti i mandatit të deputetit Armand Prenga, përveçse një çështje ligjore, duket se ishte kthyer edhe në një përplasje serioze mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba. Kreu i KQZ-së, pas mbledhjes së të premtes i kërkoi Prokurorisë dokumente shtesë për të argumentuar kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit Prenga.

Gjatë paradites së shtunë, Prokuroria e Përgjithshme më shumë sesa një përgjigjeje, i ka dërguar KQZ-së dhe kryetarit të saj faktin që provën kryesore për ndërprerjen e mandatit tashmë e kishte në dosje. 

Sipas prokurorisë, mjafton vetëm fakti që Prenga nuk ka deklaruar një vendim penal ndaj tij të Gjykatës së Kurbinit, që atij t’i ndërpritej menjëherë mandati. Përveç kësaj, Prokuroria i kujtoi KQZ-së, se ka vetëm 10 ditë kohë për shqyrtuar dhe vendosur në lidhje me mandatin e deputetit Prenga dhe se kjo kohë ka filluar që nga data 15 shkurt, kur i ka dërguar kërkesën për ndërprerjen e mandatit dhe këtë të shtunë ky afat ligjor, sipas prokurorisë përfundoi. 

“Dorëhiqem edhe pse nuk prekem nga ligji për dekriminalizimin. Ligji nuk parashikon heqje mandati për një dënim me gjobë. Për qetësinë time heq dorë sot dhe gjithmonë nga mandati Akuzat e opozitës janë shpifje të ulëta ndaj meje” shkruan Prenga në letër.

Letra e Prengës

Duke u shprehur konsideratën e falenderimet për bashkëpunimin e deritanishëm, më lejoni që nëpërmjet kësaj letre të ju paraqes dorëheqjen time nga mandati i deputetit të PS në qarkun e Lezhës.

Dëshiroj t’ju informoj ju zoti kryetar, por edhe opinionin publik, se ligji për dekriminalizimin në asnjë dispozitë të tij, nuk parashikon ndërprerjen e mandatit të të zgjedhurve për një dënim me gjobë, siç është rasti im, por për qetësinë time dhe të familjes sime, deklaroj si më sipër se heq dorë sot dhe gjithmonë nga mandati që zgjedhësit e mi dhe Kushtetuta më ka ngarkuar.

Së fundmi i konsideroj të padrejta dhe shpifje, të ulëta, akuzat politike të opozitës dhe personave të autorizuar prej tyre./noa.al