Transmetuar më 26-02-2017, 20:42

Celulari Nokia 3310, një ndër më të famshmit dhe të shiturit në histori do të rikthehet këtë vit në një version inteligjent. Zërat qarkullonin prej kohësh, por tashmë janë zyrtarizuar dhe dalin pamjet e para, nën kujdesin e HMD Global, kompania e cila gëzon të drejtat për prodhimin e telefonave Nokia.

Gjatë Mobile World Congress të mbajtur në Barcelonë të Spanjës mesjavën e kaluar, u prezantuan disa detaje lidhur me daljen në treg të telefonit legjendar.

Bëhet fjalë për një dispozitiv më shumë afër me një celular të zakonshëm se sa një smartphone. Butona të fiksuar, ekran me ngjyra 2.4 polë dhe kamerë në pjesën e pasme me 2 megapixel, janë disa nga detajet e modelit të ri të Nokia 3310, i cili ka edhe disa shërbime më shumë shtesë.

Mes tyre interneti 3G, madje edhe Opera Mini, shkruan noa.al. Pika e vërtetë e forcës, është jetëgjatësia e baterisë. Duron deri në 22 orë telefonata rresht dhe 31 ditë në rast se nuk përdoret.

Me pak fjalë jetëgjatësia e baterisë së telefonit Nokia 3310, duket se nuk ka ndryshuar. Ndër të tjera pjesë e këtij telefoni është edhe loja legjendare me gjarprin (Snake).

 Nokia 3310 do të dalë në treg, në tremujorin e dytë të këtij viti për një çmim prej 49 euro, dhe do jetë në dispozicion me ngjyrë të kuqe, të verdhë, blu dhe të zezë./a.y/noa.al