Transmetuar më 26-02-2017, 12:49

Pak orë para se të ndahej nga jeta, shkrimtari Dritëro Agolli kishte kërkuar një letër dhe stilolaps, duke dashur të shkruajë diçka.

Vajza e të ndjerit, Elona Agolli, përmes një publikimi në rrjetet sociale, tregon çastet e fundit me të atin.

Ajo thotë se “atë ditë që shpresat e mjekëve për të hequr ato tuba që drejtonin frymëmarrjen e babit u bënë të mëdha, pasi ai po përpiqej vetë të frymëmerrte, edhe gëzimi ynë ishte i madh”.

Kurse shton: “Pas orëve të zgjatura në gjendje gjumi, babi hapi sytë e po na vështronte. Edhe ai po e ndjente që po dilte nga një gjumë i rëndë e rraskapitës; rraskapitës pasi tubat e tërë ato pajisje dukej që e bezdisnin fort. Shihte sytë e Sadijes dhe kokat tona e kërkonte të fliste, të komunikonte. Ne i thonim e bënim me shenja që të mos lëvizte shumë e të kishte pak durim, pasi për pak do i hiqte ato tuba e do fliste si të donte. Atëherë ai bëri me shenjë që donte stilolaps e letër që të shkruante”.

Elona tregon se i sollën një fletë letre e një dosje të kuqe ku të mbështeste letrën. “Me dorën që i dridhej nisi të shkruante, por ah sa dhimbje: Koka e mbështetur në atë krevat reanimacioni, dhimbjet e trupit dhe të shpirtit, tërë ato tubacione të formave e dimensioneve të ndryshme, gypa në fyt, anash qafës disa si fije të holla që nuk kuptoheshin çfarë funksioni kishin, një mishmash pajisjesh”.

“E, jo vetëm aq, – vijon rrëfimin Elona, – në një sallë gjigande, pranë e pranë të ngjashmish, vuajtës e bashkëvuajtës, me shpresa e të pashpresë, me fytyra të zbehta e ngjyrë hiri, në mosha të reja por edhe në mosha të thyera (paçka se mosha pak rëndësi ka në atë pavijon që për mua trishtueshëm thënë ishte pavijoni i vdekjes, pasi aty qava kujshëm të shenjtin e të shtrenjtin tim, aty ndjeva duart e ftohta akull, aty pashë ngjyrën e të mosqenit në jetë, atë ngjyrë që askurrherë nuk e kisha çuar nëpër mend për të bukurin atin tim), në atë sallë pra, ishte e pamundur që dora të shkiste e të formonte shkronja, fjalë, fraza”.

“E megjithatë disa iniciale, E, A, një grupim inicialesh, vështirë të kuptueshme, babushi im arriti t’i bënte. Gjithsecili nga ne ëndërronte që ato të ishin shkruar për çdonjërin: Mami thoshte që ja, Dritëroi nuk më pa që isha aty e donte të shkruante: Ku është Sadija?

E ndoshta kishte të drejtë. Edhe infermieret shpreheshin që Dritëroi thërret veçse Sadijen kur zgjohet. Tani, sigurisht mendonte që Dritëroi donte të shkruante për Tanin, amanetet e tij. Dhe unë po ashtu mendoja vetmevete: Ja, babushin e ka marrë malli për mua, donte të shkruante diçka për vajzën e tij dhe bijën e çmuar të tij”.

Elona tregon se ende dhe sot “ditën që shkruaj nuk e kam zbërthyer dot atë tog hieroglifesh, të fundmet kompozime gërmash të shkruara nga dora e bukur e atit tim (duart e babit janë vërtet të pakrahasueshme në bukurinë e tyre, të holla e elegante, gishtërinj të gjatë e të drejtë, lekurëlëmuar derisa mbylli sytë, pëllëmbë e bukur e në dimensione çuditërisht shumë harmonike në tërësinë e dorës)”.

“E megjithatë ai shkroi; një dëshirë ndoshta e pashprehur dot me fjalë, një amanet a testament qoftë. Ai la përsëri gjurmën e bojës në letër si amaneti më fisnik i vazhdimit të mbajtjes gjallë të veprës së tij, botimit të dorëshkrimeve, botimit e ribotimit të veprave të tij, botimit të pathënave që sa ishte në jetë hezitoi t’i përshfaqte e të shihnin dritën e botimit”. /noa.al/