Transmetuar më 25-02-2017, 14:55

Orët e paradites do të jenë në dominimin e kthjellimeve dhe vranësirave të herë pas-hershme ku më të dukshme vranësirat do të jenë në zonat jugore – juglindore të vendit duke rrezikuar rrebeshe shiu afat-shkurtër.

Parashikohet që edhe pasditja të vijojë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta në bregdet dhe zonat e ulëta duke lënë me vranësira të dendura zonat verilindore dhe juglindore, më të dukshme në juglindje duke rrezikuar shira të përkohshëm.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme në vlerat minimale ndërsa në vlerat maksimale parashikohet rritje me 2-3 gradë Celcius. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 40 km/h nga drejtimi jugperëndimor duke bërë që në Adriatik dhe Jon të gjenerohet dallgëzim mbi 3 ballë.

Europa

Kushtet e qëndrueshme atmosferike do të karakterizojnë vendet e rajonit, për pasojë kthjellimet dhe vranësirat e lehta e kalimtare do të jenë dominante gjatë gjithë ditës. Po ashtu edhe kontinenti Europian, do të dominohet nga moti i kthjellët në pjesën më të madhe të tij.

Përjashtim bëjnë  Europa Qendrore dhe ishujt Britanike të cilat do të dominohen nga vranësira dhe reshje të dobëta shiu si edhe dëbore në zonën e Alpeve./b.l/noa.al/