Transmetuar më 24-02-2017, 16:29

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e sotme filloi shqyrtimin e rezultateve të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme, për deputetin Armando Prenga. 

Lidhur me dyshimet për të kaluar kriminale të këtij deputeti, KQZ mësohet se i ka dërguar një shkresë Prokurorisë së Përgjithshme (PP).

Në shkresën që NOA.al ka siguruar nga PP, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon informacion zyrtar nëse deputeti Armando Prenga është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, brenda apo  jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

“Nëse po, të na vihet në dispozicion në rrugë zyrtare një kopje e vendimit gjyqësor të formës së prerë”, - kërkon KQZ duke theksuar se “vendimi gjyqësor i formës së prerë është i nevojshëm për të verifikuar nëse dënimi është dhënë për ndonjë nga veprimet apo mosveprimet që përmbajnë veprat penale të përmendura në ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Po ashtu KQZ kërkon nga PP që ta informojë nëse deputeti Armando Prenga, është dënuar me vendim jo përfundimtar  nga një autoritet  gjyqësor i një shteti anëtar i BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë. “Nëse po, të na vihet në dispozicion, pasi vendimi jo përfundimatar, është i nevojshëm për të verifikuar nëse dënimi është dhënë për kryerjen apo tentativën për të kryer një vepër penale sipas parashikimeve të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Gjithashtu KQZ kërkon nga PP që ta informojë nëse ndaj deputetit Armando Prenga është vendosur një masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë apo  një shteti tjetër të përcaktuar me vendim të Kuvendit.

Nëse po, KQZ kërkon që t’i vihet në dispozicion një kopje e vendimit apo aktit, me të cilin është vendosur masa e sigurimit personal dhe/ose është lëshuar urdhri i kërkimit ndërkombëtar.

Ky informacion është i nevojshëm për të verifikuar nëse masa e sigurimit personal dhe/ose urdhri i kërkimit ndërkombëtar është dhënë për kryerjen apo tentativën e kryerjes së ndonjë nga veprimet ose mosveprimet që përmbajnë veprat penale sipas parashikimeve të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Sërish për deputetin socialist, KQZ i kërkon PP ta informojë nëse Armando Prenga është dëbuar ndonjëherë nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë. 

KQZ i kujton PP-së faktin se ky dokumentacion është i domosdoshëm që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ushtrojë detyrat e tij të ngarkuara shprehimisht nga ligji.

Në mënyrën se si është paraqitur informacioni nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me rastin e deputetit Armando Prenga, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjendet në një situatë pamundësie objektive për marrjen e një vendimi të mbështetur në Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjet e tjera.

Në vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme përdoren terma të cilat nuk gjenden në asnjë dispozitë të ligjit dhe të vendimit të Kuvendit. Konkretisht, midis të tjerave thuhet se: “Armando Prenga rezulton me preçedentë penalë në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos”. 

Por ligji kërkon të administrohen vendime dënimi, vendimet e masave të sigurimit, vendime dëbimi, vendime jopërfundimtare, vendime apo urdhra kërkimi ndërkombëtar. 

Termat: “preçedent penalë”, “falsifikime në përgjithësi”, apo “deklarata për identitete të rreme” nuk janë parashikuar në ligjin 138/2015 për t’u bërë shkak për të ndërprerë mandatin sikurse kërkohet në rastin konkret.

Nëse ekzistojnë këto rrethana në ngarkim të subjektit konkret, përfaqësuesi i akuzës është i detyruar t’i gjejë dhe  t’i vërë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vendimet cituar më sipër.

Informacioni policor i cili, sikurse rezulton nga materiali i organit të prokurorisë, është përdorur në rastin konkret, mund të shërbejë si burim për të gjetur vendimet gjyqësore sikurse parashikon shprehimisht ligji.

Kryetari i KQZ Denar Biba, i kujton PP-së se “mosbashkëpunimi apo refuzimi për të bashkëpunuar, pengesa, vonesa apo keqdrejtimi në proçesin e verifikimit përbën vepër penale, në përputhje me Kodin Penal”. /noa.al/