Transmetuar më 24-02-2017, 08:33

Policia publikon detaje në lidhje me operacionin dy ditor kundër kultivimit të kanabisit.  Në aksion u angazhuan 3100 forca policore dhe ai nisi  mëngjesin e datës 22 Shkurt dhe përfundoi në orë 19:00 të datës 23.02.2017. Në çdo Drejtori Vendore të Policisë në Qarqe, u ngritën dhe funksionuan grupet e drejtimit dhe monitorimit, me pjesëmarrje edhe të strukturave të SHÇBA-së, Kufirit dhe Krimit të Organizuar. Këto grupe  drejtimi  monitoruan  në të gjithë territorin, kontrollin e ushtruar  nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Policia në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave ushtruan kontrolle në sera, stalla, shtëpi të braktisura pasi mund të jenë vendet e mundshme për kultivimin e fidanëve të bimëve narkotike. Kontrollet u ushtruan edhe në të gjitha tunelet e braktisura të ushtrisë, të ish-rezervave të shtetit, si dhe në ambiente të tjera për të cilat disponoheshin informacione apo kishte dyshime se mund të përdoren për të kultivuar bimë narkotike në kubikë e fidanë.

Të gjitha ambientet që ishin me pronar pasi përfundoi kontrolli, pronarët firmosën deklaratë se këto ambiente nuk do të përdoren për kultivim të bimëve narkotike. Edhe për ambientet dhe objektet pa pronar, është mbajtur procesverbal i firmosur nga pjesëtarët e  grupeve të kontrollit. Gjithashtu të gjitha ambientet apo objektet ep kontrolluara nga Policia gjatë këtij operacioni masiv janë fotografuar dhe filmuar nga ekspertët e policisë.

Në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe, u analizua dhe do analizohet edhe në  ditët në vijim, çdo informacion policor apo i marrë nga komuniteti, në lidhje me personat që sigurojnë farën e bimës kanabis sativa, personat që e blejnë dhe kultivojnë bimë narkotike, personat që blejnë në farmacitë bujqësore pesticide anti-parazitarë, që sigurojnë pleh organik dhe gota plastike me shumicë. Kontrollet për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike do të vijojnë çdo ditë në territorin e çdo Drejtorie Vendore të Policisë së Qarqeve. /noa.al