Transmetuar më 23-02-2017, 19:06

Ministria turke e Edukimit duke filluar nga shtatori, kur nis viti i ri akademik në Turqi, do t’iu ofrojë studentëve mundësinë për të mësuar edhe dy gjuhë të reja: atë boshnjake dhe shqipen.

Lajmi është njoftuar këtë të enjte nga një zyrtar i këtij dikasteri, që shtoi se këto gjuhë të reja do të shtohen në kurrikulën e shkollave të mesme mbi baza përzgjedhëse nga muaji shtator. Zyrtari në fjalë ka folur në kushte anonimati, për shkak se nuk i lejohej të fliste për mediet.

Nxënësit e grupmoshës 13-16 vjeç do të kenë mundësinë të mësojnë gjuhën boshnjake dhe shqipen si pjesë e kurseve për gjuhët e gjalla dhe dialektet, në të cilat ata mund të mësojnë aktualisht edhe gjuhë të tjera që fliten në Turqi dhe vendet fqinje të saj, siç janë dialektet kurde “Kurmanji” dhe “Sorani”, gjuha abkaziane dhe gjeorgjiane, si dhe ajo “Laz”.