Transmetuar më 23-02-2017, 17:10

Tiranë, 23 shkurt 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama reagon ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili ditën e sotme nga sheshi i protestës kërkoi qeveri teknike, të ndryshohen 7 ligjet e reformës në drejtësi dhe më tej të bëhet ‘Vettingu’.

Për kreun e qeverisë kërkesat e Bashës janë “qiqra në hell”.

“Qeveri teknike pastaj rishikim të 7 ligjeve, pastaj Vettingun?! Kësaj i thonë duam qiqra në hell pastaj flasim për ç’do Shqipëria: VETTINGUN”, shkruan Rama në Facebook.

Basha shpalli sot kushtin e ri të protestës, “korrigjim të shtatë ligjeve që lidhen me reformën në drejtësi”, ndërkohë që paralel mbahej seanca parlamentare.

Basha tha se kjo lëvizje do të vazhdojë “deri në përmbysjen e republikës së krimit, deri në përmbysjen e republikës së korrupsionit dhe ndërtimin së bashku të një republike të vërtetë demokratike të qytetarëve shqiptarë”.

Siaps tij, kjo nis me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për këtë nuk ka e nuk do të ketë asnjë kompromis dhe negociatë.

 “Menjëherë pas paktit për një qeveri të vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe pas korrigjimit të 7 ligjeve sipas vërejtjeve konsensuale të opozitës, urdhëroni ta bëjmë vetingun e të shohim kush ka frikë nga drejtësia e pavarur”, deklaroi ai.

“Nëse nuk tremben nga drejtësia e pakapur le t’i hapin rrugë qeverisë teknike, le të ndryshojmë së bashku 7 ligjet që i bënë përshesh për të kapur drejtësinë dhe ne do të na kenë aty dhe bashkë me qytetarët shqiptarë do ta zgjidhim çështjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe çështjen e drejtësisë së vërtetë për qytetarët shqiptarë”, vijoi Basha./a.y/noa.al