Transmetuar më 23-02-2017, 15:15

Opozita po vazhdon protestën e saj në atë që z.Basha e quan Sheshi i Lirisë, pranë çadrës së instaluar në mes të Kryeministrisë së Kryesisë së Parlamentit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në një deklaratë bërë ndërsa në Kuvend zhvillohej seanca plenare e bojkotuar nga opozita, Lulzim Basha shpalli kushtin e ri të protestës, “korrigjim të shtatë ligjeve që lidhen me reformën në drejtësi.

Basha tha se kjo lëvizje do të vazhdojë “deri në përmbysjen e republikës së krimit, deri në përmbysjen e republikës së korrupsionit dhe ndërtimin së bashku të një republike të vërtetë demokratike të qytetarëve shqiptarë”.

“Kjo nis me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për këtë nuk ka e nuk do të ketë asnjë kompromis, për këtë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë negociatë, qeveri teknike ose populli do të qëndrojë këtu e do të përballet deri në largimin e qeverisë së bërë njësh me krimin”, – shtoi z.Basha.

Kurse theksoi: “Menjëherë pas paktit për një qeveri të vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe pas korrigjimit të 7 ligjeve sipas vërejtjeve konsensuale të opozitës, urdhëroni ta bëjmë vetingun e të shohim kush ka frikë nga drejtësia e pavarur”, – duke shpalosur kështu kushtin e ri të pashpallur deri sot që nga nisja e protestës gjashtë më parë.

“Nëse nuk tremben nga drejtësia e pakapur le t’i hapin rrugë qeverisë teknike, le të ndryshojmë së bashku 7 ligjet që i bënë përshesh për të kapur drejtësinë dhe ne do të na kenë aty dhe bashkë me qytetarët shqiptarë do ta zgjidhim çështjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe çështjen e drejtësisë së vërtetë për qytetarët shqiptarë”, – vijoi z.Basha.

Deklarata e z.Basha nuk ka pasuar deri tani ndonjë reagim nga mazhoranca e majtë. /noa.al/