Transmetuar më 23-02-2017, 12:58

Tiranë, 23 sdhkurt 2017, NOA.al- Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit për tre të akuzuarit për vrasjen e trefishtë të ndodhur në prill të vitit 2015 në lagjen “Çole” të Vlorës.

Kështu me vendimin e ditës së sotëm, Aleksandër Llanaj do të qëndrojë në burgim të përjetshëm, ndërsa për dy të dyshuarit e tjerë Ani Begaj dhe Berti Aliaj u la në fuqi dënimi me 35 vite burg.

Por Begaj dhe Aliaj, për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit.

Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj gjetën vdekjen në përplasjen e armatosur të ndodhur në lagjen “1 Maji” të qytetit të Vlorës.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, pikërisht me 8 prill 2015, Policia e Vlorës zbardhi në mënyrë të detajuar gjithë dinamikën e përplasjes së armatosur dhe pikënisjen e saj, që ishte “një fjalë goje”.

Më datë 07.04.2015 rreth orës 04:00 të mëngjesit, shtetasi Xhuliano Lutaj ka qenë në shoqërinë e shokut të tij, shtetasit Albi Limaj në një lokal lojërash fati (kazino), në afërsi të portit, kur është konfliktuar me shtetasit Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj, të cilët, të pajisur me armë zjarri, kanë ofenduar dhe dhunuar shtetasin Xhuliano Lutaj. Pas këtij momenti, shtetasi Xhuliano Lutaj i rrëfen gjithçka ndodhi shtetasit Albi Limaj, i cili nuk ndodhej me të gjatë konfliktit. Nëpërmjet shtetasit Albi Limaj, vihet në dijeni të këtij fakti edhe shtetasi Aleksandër Llanaj, i cili kishte shoqëri me shtetasit Xhuliano Lutaj dhe Albi Limaj. Të nesërmen, ai vendosi të sqarohej me shtetasit Ardi Velaj dhe Akil Hasanaj, të cilët ndodheshin në lokalin “Adore” duke pirë kafe. Disa orë më vonë, së bashku me shtetasit Aleksandër Llanaj, Albi Limaj, Bertil Alliaj dhe Ani Begaj, i cili drejtonte automjetin tip ‘BMW X5’ me targa AA 323 AO, shkojnë në afërsi të lokalit "Adore" për të takuar shtetasit Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj. Nga automjeti tip ‘BMW’ zbresin shtetasit Albi Limaj dhe Aleksandër Llanaj, të cilët sapo janë takuar me shtetasit  Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj, kanë nisur konfliktin, i cili ka degraduar me përdorimin e armëve të zjarrit. Si pasojë kanë mbetur të vdekur shtetasit Akil Hasanaj, Ardi Velaj dhe Albi Limaj, si dhe është plagosur rëndë shtetasi Aleksandër Llanaj, i cili është transportuar për në spitalin rajonal të Vlorës dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor. Ndërsa shtetasi Bertil Alliaj, gjatë shkëmbimit të zjarrit, ka zbritur nga automjeti ‘BMW X5’ dhe është larguar nga vendi i ngjarjes".